Ancelotti merr dhuratën e parë, Brazili kualifikohet për në Kupën e Botës 2026

Carlo Ancelotti mori dhuratën perfekte për ditëlindjen e tij të 66-të: Brazili është zyrtarisht i kualifikuar për Kupën e Botës 2026. Në debutimin e tij përpara tifozëve brazilianë, tekniku italian udhëhoqi “Seleçãon” drejt një fitoreje të rëndësishme 1-0 ndaj Paraguait, në një mbrëmje festive në “Arena Neo Química” të São Paulos, ku më shumë se 46 mijë tifozë sfiduan temperaturat e ulëta për të përkrahur skuadrën.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në fundin e pjesës së parë, kur Vinicius Jr përfitoi nga një asist i shkëlqyer i da Cunha dhe finalizoi saktë, duke shpërthyer entuziazmin në shkallët e stadiumit.
Kualifikimi i Brazilit u vulos matematikisht edhe falë humbjes së Venezuelës 2-0 ndaj Uruguait, që i siguroi kombëtares së Ancelottit vendin e saj në edicionin e 23-të të Kupës së Botës në histori.
Për Ancelottin, ky debutim para publikut vendas nuk mund të kishte qenë më i mirë, një triumf që përforcon besimin e tifozëve dhe hap rrugën drejt një tjetër rrugëtimi të madh me një nga kombëtaret më të lavdishme të futbollit botëror.