Anglia përmbys me vuajtje Congon dhe kualifikohet, Kane dhuron spektakël me dopietë
Anglia ka siguruar me shumë vështirësi kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Botërorit 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Kongos në një ndeshje dramatike të vendosur nga Harry Kane.
Përballja nisi në mënyrën më të mirë për përfaqësuesen afrikane, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 7-të. Pas një asisti të Mbembas, Cipenga dërgoi topin në rrjetë dhe befasoi anglezët me golin e 1-0.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel reagoi menjëherë, por hasi në një mbrëmje të jashtëzakonshme të portierit Mpasi. Gardiani kongolez neutralizoi disa raste të rrezikshme të anglezëve dhe mbajti të paprekur portën e tij gjatë gjithë pjesës së parë. Në minutën e 42-të, RD Kongo ishte shumë pranë golit të dytë, por goditja e Wissas u ndal nga shtylla.
Edhe në pjesën e dytë Anglia ushtroi presion të vazhdueshëm, ndërsa Mpasi vazhdonte të ishte protagonist me pritjet e tij. Megjithatë, rezistenca e afrikanëve u thye në minutën e 75-të, kur Anthony Gordon krosoi saktë nga krahu dhe Harry Kane shënoi me kokë për barazimin 1-1.
Pas golit të pësuar, Kongo u tërhoq gjithnjë e më shumë në mbrojtje, ndërsa Anglia kërkoi me ngulm golin e fitores. Ai erdhi në minutën e 86-të dhe mbajti firmën e kapitenit anglez. Kane kontrolloi topin në kufijtë e zonës, u kthye shpejt nga porta dhe lëshoi një goditje të fuqishme me të djathtën nën traversë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-1.
Me këtë fitore, “Tre Luanët” sigurojnë kalimin në fazën tjetër të turneut, ku do të përballen me Meksikën. Nga ana tjetër, Republika Demokratike e Kongos largohet nga Botërori pas një paraqitjeje dinjitoze dhe një ndeshjeje ku rivalizoi në mënyrë të barabartë me një nga favoritët e kompeticionit.
KOHA JONË SONDAZH

