Antonelli triumfon në Spanjë, zhgënjen sërish Hamilton
Kimi Antonelli ka festuar një tjetër sukses të madh në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës. Piloti italian i Mercedesit mori fitoren pas një gare ku strategjia dhe momenti i duhur në bokse bënë diferencën.
Lando Norris, i cili e nisi garën si lider, ishte viktima kryesore e Virtual Safety Car. Ndërsa piloti i McLaren kishte kaluar tashmë hyrjen e bokseve, Mercedes reagoi menjëherë dhe thirri Antonellin për ndërrimin e gomave, duke përfituar maksimalisht nga neutralizimi i garës.
Norris u detyrua të priste, ndërsa një xhiro më vonë Virtual Safety Car u mbyll pak para se ai të mbërrinte në zonën e bokseve. Kështu, britaniku humbi mundësinë për të kryer një pit-stop shumë më të favorshëm.
Antonelli kontrolloi më pas garën, fillimisht pas Charles Leclerc, dhe mori kryesimin kur piloti i Ferrarit hyri në bokse tetë xhiro para fundit. Në përfundim, italiani regjistroi podiumin e tetë në karrierë.
Pas tij u renditën Max Verstappen dhe Norris, ndërsa Leclerc e mbylli garën i katërti, përpara George Russell.
Gara ishte zhgënjyese për Lewis Hamilton, i cili u tërhoq pas vetëm shtatë xhirosh për shkak të problemeve me frenat. Për shtatë herë kampionin e botës ishte tërheqja e parë e sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

