Apeli pranon ankimin e Kukësit, Peter Olayinka pezullohet katër muaj
Sulmuesi nigerian i Skënderbeut, Peter Olayinka, nuk do të aktivizohet deri në fund të këtij sezoni me Skënderbeun. Një humbje e madhe për kampionët në fuqi, që pretendojnë titullin e radhës kampion. Komisioni i Apelit në FSHF mori në shqyrtimin e kërkesën ankimore drejtuar Komisionit te Apelit nga ankuesi i Kukësit, me objekt kundërshtimin e vendimit te Komisionit te Disiplinës së FSHF-së. Komisioni i Apelit në zbatim të rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarit vendosi sot ndryshimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës, të datës 16 tetor 2014, si më poshtë: “Pranimin e kërkesës së Kukësit dhe dënimin e lojtarit Peter Oladeji Olayinka me pezullim nga ndeshjet zyrtare, për një periudhë 4 (katër) mujore. Vuajtja e këtij dënimi të bëhet në zbatim të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarit. Komisioni i Apelit pasi u njoh me ankimin e paraqitur nga përfaqësuesi i ”Kukësit”, dokumentacionin e paraqitur prej tij në mbështetje të ankimit, dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik, deklaratën noteriale të lojtarit Peter Oladeji Olayinka, si dhe pasi dëgjoi në seancë dëgjimore, më 27 janar 2015 pretendimet e ankuesit nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar, Arsen Selmanaj, në mungesë të lojtarit Peter Oladeji Olayinka dhe të Skënderbeut, që nuk u paraqitën, megjithëse të njoftuar rregullisht i dha të drejtës Kukësit dhe dënoi lojtarin nigerian me katër muaj pezullim. Për sa më sipër Komisioni i Apelit vlerëson në radhë të parë, se nuk është në kompetencën e vet lëndore të rishikojë apo të vlerësojë ndryshe përfundimet e arritura nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve. Në vlerësimin e Komisionit të Apelit, kjo Dhomë qëllimin e funksionimit dhe kompetencën lëndore të dhënë sipas akteve të fuqi të miratuara nga FSHF, e ka të lidhur me zgjidhjen e konflikteve me natyre civile dhe/ose tregtare mes subjekteve që i nënshtrohen rendit juridik të krijuar nga pjesëmarrja në FSHF. Nga ana tjetër Komisioni i Disiplinës apo Komisioni i Apelit ka kompetencë të vlerësojë sjelljet e subjekteve në rrafshin disiplinor. Në këtë kuptim Komisioni i Apelit vlerëson se vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës është i gabuar ne kuptim të akteve dhe rregulloreve të FSHF, për shkak se Komisioni i Disiplinës duhej të ishte shprehur në lidhje me faktin nëse gjente apo nuk gjente shkelje disiplinore të lojtarit Peter Oladeji Olayinka, në bazë të fakteve që i ishin paraqitur për shqyrtim.
Në vlerësimin në themel që Komisioni i Apelit i bën ankimit të Kukësit, vlerëson se: më 28 janar 2012, KF Bylis dhe lojtari Peter Oladeji Olayinka, kanë lidhur kontratë për aktivizimin e këtij lojtari në radhët e Bylis. Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve e ka konsideruar të vlefshme dhe me fuqi detyruese juridike këtë kontratë, siç kuptohet edhe nga arsyetimi i vendimit të saj datë 13 shtator 2014. Por lojtari Peter Oladeji Olayinka, ka lidhur një kontratë me datë 18 gusht 2014, me KF Kukësi, për aktivizimin e tij tek kjo skaudër. Ky fakt provohet nga vetë kontrata, por edhe nga përfundimet e arritura nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve. Pra, në analizë të thjeshtë të këtyre fakteve rezulton se lojtari Peter Oladeji Olayinka, ka lidhur kontratë me Kukësin, duke qenë nën kontratë me Bylis. Në zbatim të këtyre dispozitave dhe duke konsideruar faktet e treguara dhe të provuara, Komisioni i Apelit vlerëson se lojtari Peter Oladeji Olayinka, ka konsumuar shkelje të rregullores dhe për këtë shkak t’i nënshtrohet sanksioneve të parashikuara aty. Në caktimin e masës së dënimit që është parashikuar si minimalisht 4 muaj pezullim dhe eventualisht 6 muaj në rastet e rrethanave rënduese, Komisioni i Apelit merr në konsideratë faktin se këtij Komisioni nuk i rezultojnë për shqyrtim rrethana të tilla rënduese.
KOHA JONË SONDAZH

