Arbitri somalez ndalohet në hyrje të SHBA-së, humbet pjesëmarrjen në Kupën e Botës
Arbitri somalez Omar Artan, i përzgjedhur për të gjykuar në Kupën e Botës FIFA, është ndaluar dhe më pas është refuzuar në hyrje të Shteteve të Bashkuara pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit nga Stambolli.
Lajmi është konfirmuar nga agjencia amerikane Customs and Border Protection (CBP), e cila bëri të ditur se një shtetas somalez, i caktuar për të arbitruar në Botëror, nuk është lejuar të hyjë në territorin amerikan pas procedurave të verifikimit kufitar. Edhe pse në deklaratën zyrtare nuk përmendet emri i personit, Omar Artan është i vetmi arbitër i përzgjedhur nga Somalia për këtë kompeticion.
Sipas CBP-së, pas mbërritjes në aeroport, arbitri iu nënshtrua një kontrolli shtesë, procedurë që konsiderohet pjesë normale e procesit të verifikimit kur autoritetet duhet të konfirmojnë informacione shtesë ose të përcaktojnë pranueshmërinë e një udhëtari për të hyrë në vend.
“Gjatë kontrollit shtesë u identifikuan çështje që ndikuan në vlerësimin e pranueshmërisë së tij. Si rezultat, udhëtari, i cili ishte arbitër i Kupës së Botës FIFA, u konsiderua i papranueshëm për hyrje dhe u kthye mbrapsht”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Autoritetet amerikane theksuan se të gjithë personat që kërkojnë të hyjnë në SHBA, përfshirë sportistët, trajnerët dhe stafet teknike, i nënshtrohen kontrolleve dhe verifikimeve të detajuara nga shërbimet kufitare.
“Vendimet për pranueshmërinë merren rast pas rasti, bazuar në informacionet e disponueshme në momentin e inspektimit, duke përfshirë aspektet e sigurisë kombëtare, zbatimit të ligjit dhe legjislacionit të emigracionit”, nënvizon CBP.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete që çuan në refuzimin e hyrjes së arbitrit somalez në Shtetet e Bashkuara.

KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?
Results
Vota totale: 17907

