Ardon Jashari fiton “Këpucën e Artë” në Belgjikë për vitin 2025

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Club Brugge dhe një transferimi të rëndësishëm te Milani, mesfushori shqiptaro-zviceran Ardon Jashari është nderuar me çmimin prestigjioz “Këpuca e Artë” 2025 në Belgjikë, i cili i jepet lojtarit më të mirë të vitit.

Jashari arriti të triumfojë në garë ndaj ish-bashkëlojtarëve të tij, Christos Tzolis dhe Hans Vanaken, të cilët konsideroheshin favoritë për këtë trofe. Veçantia e këtij suksesi qëndron në faktin se mesfushori grumbulloi pikë vetëm në një raund votimi, për shkak të transferimit të tij veror te Milani, që e përjashtoi nga raundet pasuese. Megjithatë, paraqitjet e tij në gjysmën e parë të vitit rezultuan vendimtare.

Ky çmim merr një domethënie edhe më të madhe për Jasharin, pas periudhës së vështirë që ai kaloi për shkak të dëmtimeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Është një ndjenjë e pabesueshme. Për mua është një nder i madh ta fitoj këtë trofe. Pas gjashtë muajve të fundit, me dëmtime dhe momente të vështira, kjo do të thotë jashtëzakonisht shumë”, u shpreh ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mesfushori, i cili përfaqëson Kombëtaren e Zvicrës, foli me emocione për periudhën e tij në Belgjikë: “Kam kaluar një kohë të mrekullueshme këtu. Belgjika është bërë një shtëpi e dytë për mua dhe nuk do ta harroj kurrë.”

Pavarësisht angazhimeve me Milanin, Jashari udhëtoi posaçërisht për të marrë çmimin, duke fluturuar drejt Ostendës menjëherë pas ndeshjes kundër Fiorentinës. “Kisha vetëm 15 minuta pas ndeshjes. Pushova pesë minuta dhe dola direkt në skenë”, tregoi ai.

Takimi me ish-bashkëlojtarët dhe stafin e Club Brugge e emocionoi dukshëm Jasharin, i cili theksoi respektin dhe mirënjohjen që ndjen ende për klubin belg.

“Sapo të kem pak kohë, dua të organizoj një festë të vogël atje. Jam rritur si lojtar dhe si njeri. Ky trofe, ky klub dhe ky vend e bëjnë historinë time edhe më të veçantë”, përfundoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?