“Arena Kombëtare”, më 22 prill nis puna për stadiumin e ri
Stadiumi “Arena Kombëtare” që do të zëvendësojë stadiumin ekzistues “Qemal Stafa” nis punimet më 21 prill. Federata Shqiptare e Futbollit do të prezantojë projektin e stadiumit modern në kryeqytet, ndërsa firmosja e kontratës do t’i hapë rrugë nisjes së menjëhershme të punimeve. Pas stadiumit “Elbasan Arena” dhe atij “Loro Boriçi” në Shkodër që është drejt përfundimit, tashmë është gjithçka gati për ndërtimin e impiantit tjetër më të madh dhe më modern në Shqipëri. Këtë e konfirmoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka. – “Javën e ardhshme, më 21 prill Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjë edhe prezantimin e projektit të ri të stadiumit në Tiranë.” Nisja e punimeve? “Në prezantim do të bëhet edhe firmosja e kontratës dhe punimet do të nisin menjëherë, një ose dy ditë pas finalizimit të marrëveshjes. Stadiumi i ri që do të ngrihet aty ku ndodhet “Qemal Stafa” do të jetë më moderni në vend, pasi do të ketë një kosto tre herë më tepër se ai i Shkodrës dhe me një kapacitet prej më shumë se 10 mijë vendesh. Ky stadium pritet të jetë gati në fund të eliminatoreve, “Rusia 2018”. Më tej, Armand Duka konfirmoi se De Biasi nuk ka kontakte me Federatën Italiane për të marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij, pas Euro 2016. – “Gjëja e vetme e rëndësishme është që të gjithë të mendojmë vetëm për Euro 2016, në mënyrë që të paraqitemi sa më mirë, të jemi të gjitha bashkë të mobilizuar për të luajtur dhe festuar në këtë ngjarje për të gjithë shqiptarët. E ardhmja e De Biasit? Kam biseduar me De Biasi-n dhe ai më ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë kontakt me federatën italiane.” Presidenti Duka foli edhe për kampionatin, me garën për titull në Kategorinë Superiore që është e hapur. “Futbolli është një garë dhe nuk është si opera apo teatri. Kjo bën që çdo fund-gare të ketë problemet e veta, ashtu si ka pasur gjithmonë. Por, vit pas viti në Shqipëri ka më tepër respekt për kundërshtarin dhe më shumë skuadra e pranojnë rezultatin. Në fund, dikush del i pari dhe dikush i fundit, e duhet që gjithkush ta pranojë rezultatin dhe besoj se do ta pranojnë,” – theksoi Duka.
KOHA JONË SONDAZH

