Argjentina kualifikohet me shumë vuajtje, Kolumbia avancon me fitore minimale
Argjentina ka siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8 së finales të Botërorit 2026, por vetëm pas një ndeshjeje dramatike që u vendos në kohën shtesë. “Albicelestët” triumfuan 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër, duke rezervuar një përballje me Egjiptin në raundin e ardhshëm.
Lionel Messi zhbllokoi sfidën në minutën e 29-të me një gol spektakolar, por Deroy Duarte barazoi shifrat në minutën e 59-të, duke e dërguar ndeshjen në shtesë.
Në 15-minutëshin e parë të kohës shtesë u shënuan edhe dy gola të tjerë. Lisandro López riktheu avantazhin për Argjentinën në minutën e 92-të, ndërsa Lopes Cabral barazoi sërish në minutën e 103-të. Goli i kualifikimit erdhi në minutën e 110-të, kur Romero realizoi për 3-2, duke i dhënë fund ankthit të argjentinasve dhe duke vulosur kalimin në 1/8 e finales, ku do të përballen me Egjiptin.
Ndërkohë, edhe Kolumbia siguroi një vend mes 16 skuadrave më të mira të turneut. Ekipi i drejtuar nga Néstor Lorenzo mposhti Ganën me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Arrowhead” të Kansas City, duke fituar të drejtën për t’u përballur me Zvicrën në fazën e ardhshme.
Përpara rreth 30 mijë tifozëve kolumbianë, “Los Cafeteros” dominuan takimin nga fillimi deri në fund, por shpërdoruan shumë raste të pastra shënimi, duke e mbajtur të hapur ndeshjen deri në vërshëllimën e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

