Argjentina përmbysje spektakolare ndaj Anglisë, sfidon Spanjën në finalen e Botërorit 2026

Spanja dhe Argjentina do të diskutojnë trofeun e Kupës së Botës 2026. “Albicelestët” siguruan biletën për në finalen e madhe pasi përmbysën Anglinë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinalen e zhvilluar në “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe një pjesë të parë të ekuilibruar, ku të dyja skuadrat luftuan fort, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Pas rikthimit nga pushimi, Argjentina u shfaq më kërkuese me dy tentativa të Julian Alvarez, por ishte Anglia ajo që goditi e para. Në minutën e 54-t, Jude Bellingham shërbeu një asist të saktë për Anthony Gordon, i cili përfitoi nga një moment pasigurie i Nahuel Molinës dhe mposhti Emiliano Martinezin për avantazhin 1-0. Ky ishte edhe goli i parë i Gordon në këtë Botëror.

Swiss Digital Desktop Reklama

Argjentina reagoi menjëherë dhe ishte pranë barazimit vetëm pak minuta më vonë, por Djed Spence ndërhyri në mënyrë vendimtare për t’i mohuar Giuliano Simeones një gol të sigurt.

Swiss Digital Mobile Reklama

Me kalimin e minutave, presioni i amerikano-jugorëve u shtua. Jordan Pickford u bë protagonist duke ndalur fillimisht Nico Gonzalez në minutën e 69-të, ndërsa më pas Alexis Mac Allister goditi shtyllën dhe u ndal sërish nga portieri anglez me një tjetër goditje me kokë.

Këmbëngulja e Argjentinës u shpërblye në minutën e 85-të, kur Enzo Fernandez realizoi një supergol nga distanca pas asistit të Lionel Messit, duke rikthyer baraspeshën.

Në kohën shtesë, Mac Allister goditi për herë të dytë shtyllën, por vetëm një minutë më pas erdhi momenti vendimtar. Lionel Messi harkoi saktë nga krahu dhe Lautaro Martinez dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke vulosur fitoren 2-1 dhe kualifikimin e Argjentinës në finalen e madhe.

Për Anglinë, ëndrra për t’u rikthyer në një finale Botërori shtyhet sërish. “Tre Luanët” do të luajnë për vendin e tretë ndaj Francës, ndërsa Argjentina do të synojë të mbrojë kurorën botërore në finalen përballë Spanjës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?