Arjola Prenga, shqiptarja që prek historinë e volejbollit në Norvegji
Arjola Prenga, volejbollistja shqiptare është në prag të një arritjeje historike me klubin e saj norvegjez, Stod Volejin, që synon të arrijë në çerekfinale të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, “Çellenxh Kap” (Challenge Cup). Pasi ka kapërcyer në turin e parë holandezët e Sliedreht Sportit dhe në turin e 32-shes sllovenet e Kalcit Kamnikut, kampionia dhe fituesja në fuqi e Kupës së Norvegjisë përballet në turin e 16-shes, me azeret e Azerreilit të Bakusë. Kjo e fundit pati nevojë për një “set të artë” për t’u kualifikuar në turin e 32-shes ndaj Volej Kënizit. Në prag të sfidës së 14 janarit, 28-vjeçarja ka theksuar se skuadra e saj po punon fort në stërvitje dhe me skemat për të siguruar fitoren ndaj azereve. “Sigurisht që stërvitja është me ngarkesë të plotë, madje sot patëm edhe një seancë stërvitje në natyrë, por mos harroni se temperatura sot këtu ishte -11 gradë Celcius”, – shprehet ajo. – “Skuadra jonë është e motivuar, por kundërshtari është një skuadër e fortë, – ka vijuar Arjola. – “Do të jetë një ndeshje e fortë, të paktën nga ajo që kemi parë nëpërmjet pamjeve filmike. Nëpërmjet videove, kemi parë dhe studiuar një numër ndeshjesh të kundërshtarit dhe ajo që binte në sy ishte shtatëlartësia e skuadrës azere, të paktën krahasuar me skuadrën tonë.” Ndeshja e parë midis Stod Volejit dhe Azerreilit të Bakusë do të luhet më 14 janar në Norvegji, në Sallën Sportive “Stajnkjerholl”, duke nisur nga ora 19:00, dhe do të gjykohet nga gjyqtari kryesor, finlandezi Ari Jokelainen dhe hungarezja Helena Geldof. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave, më 22 janar, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, duke nisur nga ora 18:00 me orën lokale.
KOHA JONË SONDAZH

