Arlind Ajeti: Me danezët dhe portugezët për kualifikim, e vulosim me serbët
Arlind Ajeti, 22-vjeç, mbrojtësi i Basel në Zvicër pritet të debutojë në një ndeshje zyrtare për ekipin tonë kombëtar. Përballjen e sotme ndaj Danimarkës, Ajeti mezi po e pret, pasi zbret për herë të parë në fushë me ngjyrat kuqezi. Tifozët shqiptarë, ata që do të jenë në stadium dhe të tjerët që do ta ndjekin nga ekrani, përpara çdo ndeshje shfaqen gjithnjë fantastikë. Atmosfera është premtuese dhe Ajeti thotë me bindje në një intervistë për “Koha Jonë” se si ndaj Danimarkës, ashtu edhe me Portugalinë, ekzistojnë shanset për një rezultat pozitiv. Nga Tirana janë nisur dje rreth 10 autobusë drejt Kopenhagen dhe mësohet se mijëra tifozë të tjerë kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të Europës, përveç atyre që jetojnë në Danimarkë, për të përkrahur kombëtaren tonë. Ajeti thotë se kualifikimi historik i Shqipërisë në një event të madh si Europiani mund të sigurohet në tetor në ndeshjen ndaj Serbisë, pasi të jenë kaluar me sukses Danimarka dhe Portugalia dhe se atëherë është edhe më legjitime festa e madhe:
Arlind, sa besim ka ekipi shqiptar, se mund të dalë me pikë nga dy ndeshjet me Danimarkën dhe me Portugalinë dhe nëse ndodh mund të kualifikohet direkt në “France 2016”?
Po, nëse luajmë siç kemi luajtur deri tani, mund të fitojmë dy ndeshjet, apo të dalim me pikë, por duhet pranuar se janë duele shumë të vështira. Megjithatë nëse do të jemi të bashkuar siç edhe jemi aktualisht, besoj se mund të kalojmë çdo sfidë së bashku.
Kush mendoni se është arma kryesore e kombëtares Shqiptare në këto eliminatore?
Arma kryesore janë Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka e Lorik Cana
Mund ta përshkruani atmosferën e kombëtares, dhe si e keni ndjerë veten gjatë grumbullimit para këtyre dy ndeshjeve?
Për mua do të jetë ndeshja e parë zyrtare me Shqipërinë. Dhe për këtë arsye jam pak i emocionuar. Atmosfera është shumë e mirë brenda grupit. Mund të them se çdo lojtar ka besim për këto dy ndeshje dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Serbinë e presim në tetor. Si mund të mendohet ajo ditë nga ana juaj, nëse do të vihej edhe vula e kualifikimit historik të Shqipërisë, në finalet e kampionatit Europian?
Do të jetë një ndeshje shumë e veçantë, ajo me Serbinë. Besojmë se të gjithë shqiptarët se do të krijojnë një atmosferë të mirë dhe pozitive. Dhe na mbetet të fitojmë në fund e më pas të festojmë të gjithë së bashku.
Intervistoi: Aranit Muraçi
Grupi I -Sot
20:45 Danimarkë – Shqipëri
20:45 Serbi – Armeni
7 shtator
18:00 Armeni – Danimarkë
20:45 Shqipëri—Portugali
Klasifikimi N P
Portugalia 5 12
Shqipëria 4 10
Danimarka 5 10
Armenia 5 1
Serbia 5 -2
Formacioni i mundshëm, ndaj danezëve
Në portë: Berisha:
Në mbrojtje: Xhimishti, Cana, Ajeti, Agolli
Në mesfushë: Abrashi, Kukeli, Xhaka
Të avancuar nga krahët: Gashi, Lenjani
Në sulm: Cikalleshi
KOHA JONË SONDAZH

