Armand Duka kujton Fadil Vokrrin në 7-vjetorin e ndarjes nga jeta: Një mik i rrallë dhe simbol i futbollit që nuk harrohet kurrë!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë një reagim prekës në rrjetet sociale me rastin e 7-vjetorit të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.
Duka e ka cilësuar Vokrrin si një mik të rrallë, një figurë historike dhe një simbol të pakrahasueshëm të futbollit në Kosovë dhe më gjerë. Ai ka nënvizuar rolin kyç të Vokrrit në rrugëtimin e Kosovës drejt ndërkombëtarizimit të futbollit, duke shtuar se mungesa e tij ndihet çdo ditë.
“Shtatë vite pa legjendën Fadil Vokrri. Një mik i rrallë, një simbol i futbollit në Kosovë, një figurë historike që i mungon çdo ditë botës së futbollit, shoqërisë dhe zemrave të të gjithë atyre që e donin. Njeriu që hapi rrugën e ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të futbollit kosovar nuk harrohet kurrë!”, ka shkruar Duka në postimin e tij.
Ky përkujtim i veçantë vjen si një dëshmi e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj një figure që i dha shumë sportit dhe kombit.