Armand Duka në finalen e Botërorit, publikon foto me Donald Trump
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të jetë i pranishëm në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit, finalen e Kupës së Botës 2026, ku do të përballen Spanja dhe Argjentina në stadiumin “MetLife” në New York.
Kreu i FSHF-së ndodhet në Shtetet e Bashkuara me ftesë të FIFA-s, së bashku me drejtues të lartë të futbollit botëror, për të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare që organizohen në prag të finales së madhe të Botërorit. Përveç rolit të tij si president i FSHF-së, Duka mban edhe detyrën e zëvendëspresidentit të UEFA-s, çka e bën pjesë të rëndësishme të organizimeve dhe takimeve të nivelit të lartë.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte pjesëmarrja e tij në pritjen e zhvilluar në “Trump Tower”, në Manhattan, e organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të njohura të futbollit ndërkombëtar, përfaqësues të FIFA-s, federatave kombëtare dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës.
Vetë Armand Duka ndau disa momente nga eventi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe fotografi nga pritja. Në mesazhin e tij ai theksoi rëndësinë e organizimit të Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar atë një edicion historik, pasi për herë të parë turneu po organizohet nga tre shtete njëkohësisht: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.
Sipas Dukës, rrugëtimi drejt këtij organizimi ka qenë i jashtëzakonshëm, ndërsa Botërori 2026 dëshmoi edhe një herë fuqinë që ka futbolli për të bashkuar njerëz dhe kultura të ndryshme. Ai vlerësoi punën e bërë për realizimin e këtij kompeticioni dhe theksoi se futbolli mbetet një gjuhë universale që krijon ura bashkëpunimi mes kombeve.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën, ndërsa në tribunat VIP do të jenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të futbollit ndërkombëtar dhe personalitete të politikës e jetës publike.
KOHA JONË SONDAZH

