Armand Duka: Shorti më pëlqen, kënaqësi të luash me Spanjën e Italinë

Shorti i hedhur në Shën Petërburgut ka lënë të kënaqur presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që  nga qyteti rus e ka pëlqyer verdiktin e goglave duke theksuar se është një kënaqësi të luash përballë kombëtareve si Spanja dhe Italia. E drejta televizive dhe interesi i tifozëve pritet të sjellin përfitime të mëdha për kuqezinjtë, ndaj edhe për kreun e FSHF-së shihet ky aspekt pozitiv, duke qenë se kualifikimi mbetet i vështirë edhe nëse do të ishin përballë ekipeve më pak të njohura. – “Shorti më pëlqen. Është një kënaqësi të luash me Italinë dhe Spanjën, dy prej kombëtareve më të mëdha në vend në botë. Unë jam I kënaqur me shortin sepse besoj se të gjitha skuadrat janë të forta. Nuk besoj se grupet e tjera janë më të thjeshta, pasi dhe po të luash me Gjermaninë apo Anglinë sërish të njëjtin koefiçent vështirësie do të kesh.” Një derbi fqinj me Maqedoninë këtë herë, një vend ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë. Duka nuk beson se në aspektin sportiv kjo sfidë do të paraqesë problem ashtu si dhe në planin e rivalitetit. – “Nga ana sportive nuk besoj se do të ketë problem, sepse Maqedonia ka rënë shumë vitet e fundit. Gjithsesi ne e vlerësojmë si çdo kundërshtar tjetër. Sa i përket ndonjë ngjarje të pakëndshme jashtë futbollit gjithashtu nuk mendoj se do të ketë probleme, sepse në atë vend jetojnë shumë shqiptarë.” Duka i përgjigjet me diplomaci dhe pyetjes nëse do të rinovojë sërish me trajnerin Gianni De Biasi, kontrata e të cilit mbyllet pas eliminatoreve të Europianit, duke qenë se do të përballemi tashmë me Italinë, të cilën trajneri kuqezi e njeh mjaft mirë.  – “Tani nuk dua të mendoj për këtë, pasi përpara kemi eliminatoret e Francës. Tani duhet të mendojmë për Danimarkën dhe ndeshjet e shtatorit. Këtu jemi përqendruar për momentin, si unë, si trajneri gjithashtu dhe lojtarët.” Italia përballet për herë të parë me kuqezinjtë në ndeshjet zyrtare dhe shumë tifozë e kanë mirëpritur kundërshtarët, pavarësisht se jep shanse të pakta kualifikimi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?