Armando Cungu drejt stolit shkodran, Stavri Nica me Enco Malindin te Laçi
Janari i ka gjetur ekipet e Partizanit, Laçit me trajner të rinj. Pritet që edhe Vllaznia të ndryshojë “timon” për të rikthyer në stol një emër të njohur të futbollit shkodran.
Në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz, Laçi kreu stërvitjen e parë për vitin 2016-të nën urdhrat e trajnerit të ri, Stavri Nica. Pas dorëheqjes së Armando Cungut presidenca laçiane ia ka besuar stolin një njohjeje të vjetër, Stavri Nicës, i cili i ka drejtuar bardhezinjtë edhe në të kaluarën. Në sezonin 2012-2013 me 61-vjeçarin në krye Laçi fitoi për herë të parë në histori Kupën e Shqipërisë.
Në stërvitjen e të Hënës binte në sy prania në skuadër e sulmuesit Enco Malindi i cili pas një aventure 6-mujore te Tërbuni i është bashkuar ekipit kurbinas dhe mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës si futbollisti më i ri i Lacit.
Sulmuesi 27-vjeçar nga kryeqyteti i cili shënoi dy gola në dy fazat e para të kampionatit me fanellën e Tërbunit, mund të rezultojë përforcimi i duhur në sulm për Laçin.
Sakaq, dorëheqja e trajnerit Armando Cungu duket se lidhet me të ardhmen e tij te Vllaznia.
Të hënën ish-trajneri i Kukësit dhe i Laçit, është takuar me drejtues të Bashkisë Shkodër dhe pritet të zyrtarizohet emri i tij në drejtimin e ekipit shkodran.
Pas mbylljes së pjesës së parë të këtij sezoni, Vllaznia nuk ka një trajner, pasi Admir Grima drejtoi kuqeblutë deri në merkaton e janarit. Mësohet se kanë mbetur detaje për të përcaktuar dhe Vllaznia do të ketë trajnerin e ri që në përgatitjet e janarit. Pritet zyrtarizimi i Armando Cungut.
KOHA JONË SONDAZH

