Armando Cungu: Muçi e meriton titullarin, Shqipëria tregoi tjetër fytyrë ndaj Bjellorusisë
Trajneri Armando Cungu analizon paraqitjet e fundit të Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve, duke u ndalur veçanërisht te Ernest Muçi dhe fitorja ndaj Bjellorusisë. Ai e cilësoi Muçin si një futbollist që tashmë e ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e formacionit titullar të kuqezinjve. Sipas tij, minutat e pakta të grumbulluara deri tani me Kombëtaren nuk pasqyrojnë cilësitë e fantazistit.
”Për Muçin është një lojtar i evidentuar që tashmë po bën shumë mirë edhe në kampionatin turk, madje në nivelet më të larta, elitë të futbollit turk. Vjet ka bërë një sezon shkëlqyeshëm dhe po vazhdon me atë ritëm edhe këtë sezon. Është mëse i merituar vendi si titullar i ekipit tonë përfaqësues”, deklaroi Cungu.
Ish-trajneri u ndal edhe te paraqitja e Muçit në sfidën ndaj Bjellorusisë, ku lojtari gjeti rrugën e rrjetës. Për Cungun, ndikimi i tij nuk u kufizua vetëm te goli. ”Ndeshja ndaj Bjellorusisë për mendimin tim ishte pozitive për atë lojtar, jo vetëm për golin që shënoi, por edhe për mënyrën e lojës dhe klasin që ka si futbollist në këmbët e tij për të zgjidhur situata dhe për t’i shërbyer dhe edhe shokëve të ekipit më mirë”, tha ai.
Cungu theksoi se tashmë ka ardhur momenti që Muçi të ketë një rol më të rëndësishëm në formacionin kuqezi. ”Minutat për Muçin kanë qenë me pikatore në Kombëtare. Besoj se ka ardhur koha dhe momenti që të jetë pothuajse i plotë në ekipin startues, në 11-shen e parë. Kjo është një shenjë e mirë, jo vetëm për Muçin, por edhe për Kombëtaren shqiptare”, u shpreh Cungu.
Duke folur për fitoren ndaj Bjellorusisë, Cungu bëri një dallim të qartë mes kësaj sfide dhe dy ndeshjeve të para të drejtuara nga trajneri i ri i Kombëtares. Për të kuqezinjtë patën vështirësi në minutat e para, por më pas morën kontrollin e takimit dhe treguan një tjetër nivel. ”Në fakt ishte një ndeshje, e cila nuk ishte aspak e njëjtë me dy miqësoret e para, ose më saktë dy ndeshjet e para të trajnerit të ri në drejtimin e Kombëtares shqiptare”, u shpreh Cungu.
Ai pranoi se Bjellorusia e nisi më mirë takimin, duke iu afruar disa herë portës shqiptare. ”Pavarësisht se vuajtëm në fillimin e lojës, deri nga minuta e 20-të ishin Bjellorusët, të cilët ishin pak më cinikë dhe afër portës tonë, madje edhe në një moment të caktuar kishim edhe mundësi shënimi të golit”, tha ai në ”Klan News”.

