Arsenali fiton me lehtësi sfidën e FA Cup ndaj Portsmouth
Arsenali siguroi kualifikimin në raundin tjetër të FA Cup, duke triumfuar 1-4 në transfertë ndaj Portsmouth, në një ndeshje ku reagimi i shpejtë pas golit të pësuar rezultoi vendimtar. Takimi nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 3-të. Pas një aksioni të shpejtë, Colby Bishop përfitoi për ta dërguar topin në rrjetë dhe për të ndezur entuziazmin në stadium.
Avantazhi i Portsmouth zgjati pak, pasi “Topçinjtë” reaguan menjëherë. Në minutën e 8-të, Arsenali barazoi rezultatin falë një autogoli, i ardhur pas një goditjeje këndi. Më pas, në minutën e 25-të, ishte Gabriel Martinelli ai që përmbysi shifrat, duke realizuar me kokë pas një krosimi të saktë nga Noni Madueke.
Pjesa e dytë foli sërish për Arsenalin, që e nisi me ritëm të lartë. Gabriel Martinelli shënoi golin e tretë pas asistit të Gabriel Jesus, duke i dhënë qetësi skuadrës së Artetës. Në minutën e 71-të, sulmuesi brazilian kompletoi paraqitjen e tij të shkëlqyer, duke realizuar edhe golin e katërt dhe personalen e tretë të ndeshjes, sërish me kokë pas një tjetër krosimi nga këndi i Maduekes.
Me fitoren 1-4, Arsenali konfirmon superioritetin dhe avancon pa probleme në raundin tjetër të FA Cup, ndërsa Martinelli del si protagonisti absolut i sfidës me një hat-trick vendimtar.
KOHA JONË SONDAZH

