
Arsenali ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Liverpoolit, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 në përballjen e zhvilluar në “Anfield”, e vlefshme për javën e nëntë të Premier League.
Heroi i londinezëve ishte Kai Havertz, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 16-të. Sulmuesi gjerman përfitoi nga një krosim i Declan Rice, i cili kaloi mes lojtarëve në zonë, përpara se Havertz ta dërgonte topin në rrjetë.
Pas pësimit të golit, Liverpooli u përpoq të reagonte, veçanërisht në pjesën e dytë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në kërkim të golit të barazimit. Megjithatë, vendasit u përballën me një mbrojtje të organizuar mirë të Arsenalit, e cila arriti të neutralizonte përpjekjet e tyre deri në përfundim të ndeshjes.
Kjo fitore merr një rëndësi të veçantë për skuadrën londineze, pasi përfaqëson triumfin e saj të parë në transfertë ndaj Liverpoolit në Premier League, në stadiumin “Anfield”, që prej 12 shtatorit 2012.
Falë këtij suksesi, Arsenali ngjitet në kuotën e 24 pikëve dhe merr kryesimin e kampionatit anglez, duke përfituar edhe nga humbja e Manchester Cityt një ditë më parë.