Arsenali synon Vinicius Jr, por duhet të thyejë rekord në Premier League
Arsenal ka vendosur në objektiv një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Vinícius Junior. Sulmuesi brazilian është bërë dëshira kryesore e trajnerit Mikel Arteta për këtë merkato, por transferimi i tij do të kërkonte një investim rekord.
Sipas raportimeve nga BBC, Arteta është shumë i interesuar për të afruar yllin e Real Madridit dhe drejtuesit e Arsenalit po shqyrtojnë mundësinë e një lëvizjeje konkrete për të.
Megjithatë, për të siguruar shërbimet e Viníciusit, “Topçinjtë” do të duhet të thyejnë rekordin britanik të transferimeve. Aktualisht, rekordi mbahet nga Alexander Isak, për të cilin u paguan rreth 145 milionë euro.
Edhe pse Vinícius Junior ka vetëm edhe një vit kontratë me Real Madridin, klubi spanjoll nuk dëshiron ta humbasë brazilianin me parametra zero sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, madrilenët do të kërkojnë një shumë jashtëzakonisht të lartë për ta lejuar largimin e tij.
Gazetari David Ornstein kishte raportuar më herët se Arsenali po eksploron mundësinë e transferimit të Viníciusit, ndërsa tani mbetet për t’u parë nëse lojtari do të rinovojë kontratën me Real Madridin.
Bisedimet mes klubit dhe futbollistit pritet të rinisin në ditët e ardhshme, pasi Vinícius të rikthehet nga pushimet. E ardhmja e brazilianit mbetet një nga çështjet më të nxehta të merkatos së verës.
KOHA JONË SONDAZH

