Arteta bën gati rinovimin me Arsenalin, do të përfitojë dhe rritje të pagës
Mikel Arteta ka firmosur një kontratë të re afatgjatë me Arsenalin, duke i dhënë një tjetër sinjal të qartë vazhdimësisë së projektit të tij në krye të klubit londinez.
Trajneri spanjoll, i cili mori drejtimin e “Topçinjve” në dhjetor të vitit 2019, pritet të qëndrojë për një periudhë të gjatë në Emirates, ndërsa marrëveshja e re parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës. Sipas raportimeve të BBC Sport, Arteta aktualisht përfiton rreth 10 milionë paund në vit, pa llogaritur bonuset.
Kontrata e mëparshme e 44-vjeçarit kishte hyrë në 12 muajt e fundit, ndërsa ai ishte tashmë trajneri më i paguar në Premier League. Me marrëveshjen e re, Arteta pritet t’u afrohet niveleve të trajnerëve më të paguar në botë.
Spanjolli e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të Premier League sezonin e kaluar, trofeu i parë kampionat për klubin që prej vitit 2004. Përpara këtij suksesi, Arteta kishte fituar FA Cup në sezonin e tij të parë në stol.
Edhe sezoni i ri kishte nisur në mënyrë pozitive për Arsenalin, me fitoren ndaj Manchester Cityt në Community Shield dhe katër fitore radhazi në kampionat. Megjithatë, skuadra pësoi një humbje të papritur 3-0 ndaj Brighton para pushimit ndërkombëtar.

