Artim Shaqiri: Shkarkimi im i hidhur, por Kukësi e fiton kupën
Ish- trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, 41-vjeç nga Struga, pas rreth 48 orësh nga shkarkimi, rrëfen shkarkimin pas humbjes me Skënderbeun, se si u informua për vendimin e presidentit Safet Gjici deri tek marrëdhënia e tij me ekipin dhe tifozët. Shaqiri konfirmon atë që është bërë publike në media, me lajmin e shkarkimit të mësuar rrugës së kthimit në autobus me skuadrën. – “E pranova vendimin e presidentit edhe pse ishte i hidhur,” – theksoi ai. – “Janë gjëra që ndodhin pasi është më e thjeshtë të heqësh një trajner sesa tërë ekipin. Rrugës gazetarët më morën në telefon dhe po më pyesnin për shkarkimin. Aty mora shefin e klubit, i cili pasi foli me presidentin më konfirmoi që gjithçka është e vërtetë. Nuk kam çfarë të kundërshtoj pasi presidenti është ai që merr vendimet”. Shaqiri u emërua trajner i Kukësit që në fillim të këtij sezoni, duke udhëhequr skuadrën deri në finalen e Kupës së Shqipërisë si dhe duke qenë për një pjesë të madhe të sezonit në krye të klasifikimit. – “Nuk dëshiroj të komentoj si ndjehem por më vjen keq që nuk vazhdova deri në fund pasi kemi edhe finalen. Një objektiv e arritëm, me finalen e Kupës dhe kam besim tek lojtarët që kam udhëhequr. Do ta marrin Kupën dhe do të shënohet edhe emri im aty pasi unë e drejtova ekipin deri në finale. Këtë ekip nuk e ndërtova unë por i pranova si shokë. Pika kryesore është grupi dhe me ta jam sjellë si shok jashtë fushe”. Por pas shkarkimit Shaqiri është larguar menjëherë në drejtim të Strugës për t’iu bashkuar familjes teksa rikthimi i djeshëm në kryeqytet erdhi për një takim të fundit me skuadrën dhe për të mbyllur përfundimisht marrëveshjen me klubin. Ai premtoi se do të bëj edhe një takim me tifozët, “Armatën e Veriut”, pasi realisht kanë qenë lojtari ynë i 12 dhe dëshiroj t’i falënderoj”. Vendin e tij e zuri trajneri serb, Miodrag Radanoviç. Kukësi ndodhet pas 32 javëve kampionat, në kuotën e 63 pikëve, aq sa ka edhe Partizani, 3 pikë më pak se Tirana dhe 6 pikë pas Skënderbeut të vendit të parë. Por në drejtimin e Shaqirit Kukësi shkoi në finale të Kupës së Shqipërisë dhe nëse e fiton atë ndaj Laçit, do të ngrejë lart trofeun e parë në histori.
KOHA JONË SONDAZH

