Asambleja e FSHF-së: Futbolli shqiptar, 100 herë më pak trukime
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme në Federatën Shqiptare të Futbollit vuri theksin mbi betejën kundër trukimeve. Futbolli shqiptar, 100 herë më pak dyshime për trukime dhe lufta kundër paracaktimit të rezultateve dhe të ardhurat rekord për vitin 2015 ishin pikat kryesore të diskutimit në asamble. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në këtë asamble saktësoi se në krahasim me një vit më parë, dyshimet për trukime janë 100 herë më pak. – “Duhet të evitojmë hedhjen e baltës edhe nga vetë protagonistët e lojës, pasi kjo dëmton imazhin e produktit tonë të përbashkët. Në vitin 2015 realizuam shumë investime, me stadiumin në Shkodër dhe punimet që pritet të nisin për Arenën Kombëtare në Tiranë. Por, më e rëndësishme është beteja jonë kundër trukimeve. Në krahasim me një vit më parë, dyshimet për trukime janë 100 herë më të vogla,” – u shpreh Duka. Beteja për një futboll të pastër u komentua edhe nga kreu i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, që saktësoi se mbi 30 për qind e rasteve të hetuara janë regjistruar edhe për procedim penal. – “Gjatë këtij viti Komisioni i Etikës ka marrë në shqyrtim disa raste të trukimit të ndeshjeve, duke ndëshkuar lojtarët dhe ekipet që kanë ndikuar në influencimin e rezultateve të ndeshjeve. Vlen të theksohet se në më shumë se 30 për qind të rasteve të hetuara nga Komisioni është bërë evidentimi i natyrës së shkeljes dhe është regjistruar procedim penal,” – theksoi ai.
Komisioni i Etikës
Gjatë Asamblesë së FSHF-së u votua për mandatin 2-vjeçar të anëtarëve të Komisionit të Etikës. Fatmir Braka, Bejkush Birçe, Ardian Leka dhe Bashkim Koka u konfirmuan si anëtar, pas votimit. Anëtari më i ri i Etikës do të jetë ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Interesant ishte fakti se në votim ishte edhe ish-deputeti dhe ish-financuesi i Shkumbinit, Dashnor Sula, i njohur për disa incidente të ndodhura në të kaluarën në stadium si dhe i dënuar nga FSHF dhe Komisioni i Etikës.
Financat e FSHF-së
Financat e federatës, sipas raporteve të vitit 2015, janë cilësuar të shëndosha, ndërsa përfitimet kanë qenë rekord. “Të ardhurat e Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2015 kanë qenë në vlerën mbi 1 miliard e 600 milionë Lekë. Bëhet fjalë për një rekord absolut në historinë e institucionit. Raporti financiar është realizuar nga kompania e pavarur audituese”. Punimet e Asamblesë u përshëndetën ndër të tjerë nga zv. presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi. “Falënderoj ekipin Kombëtar, lojtarët dhe stafin me në krye trajnerin Gianni De Biasi për kualifikimin historik në Kampionatin Europian. Kosova do të jetë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë dhe trajnerit De Biasi, ashtu si Federata Shqiptare ka qenë iniciatore për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar”.
Çmime të veçanta
Për kualifikimin në Euro 2016, pas çmimit Pankina e Artë Speciale në Itali, trajneri De Biasi u vlerësua edhe si “Nderi i Kombit në Futboll”. I njëjti çmim iu rezervua edhe legjendës së futbollit tonë Refik Resmja, pas vdekjes. Me tituj Nderi i Futbollit shqiptar u vlerësuan edhe Mikel Janku e Sokol Kushta. Për ish-lojtarin e Tiranës Shkëlqim Muça dhe atë të Partizanit, Ylli Shehu, u akorduan titujt “Legjendë e Futbollit Shqiptar”. Titulli i “Mirënjohjes” i’u dha Andrea Markos dhe Krenar Alimehmetit.
KOHA JONË SONDAZH

