Asani rikthehet me “magji” në Champions-in e Azisë, gol dhe asist (VIDEO)
Jasir Asani është rikthyer në skenën e Champions League të Azisë aty ku dikur kishte dhuruar spektakël me fanellën e Gwangju. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk ka humbur kohë për të lënë gjurmën e tij, teksa në debutimin me Esteghlal ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 ndaj Al-Sadd.
“Sallaksi” kuqezi i mjaftoi vetëm 9 minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Asani shfrytëzoi në mënyrë perfekte një moment pakujdesie të kundërshtarit, duke i rrëmbyer topin shumë pranë zonës. Me një goditje të fortë me të majtën brenda zonës, ai tundi rrjetën dhe i dha avantazhin skuadrës iraniane.
Por spektakli i Asanit nuk u ndal me golin. Në fillimin e pjesës së dytë, sulmuesi shqiptar u shfaq sërish protagonist, këtë herë në rolin e asistuesit. Një pasim i tij i saktë u shndërrua në golin e dytë të Esteghlal, që më pas kompletoi suksesin e pastër 3-0.
Me 1 gol dhe 1 asist në sfidën e parë të turneut, Jasir Asani duket se ka nisur menjëherë të dërgojë sinjalet e tij. Një “SMS” në distancë për trajnerin e Kombëtares, Rolando Maran, se është gati të jetë sërish një nga protagonistët e kuqezinjve.

KOHA JONË SONDAZH

