
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj gjobave të vendosura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ndaj televizioneve për përdorimin e gjuhës së konsideruar të papërshtatshme në transmetime. Gjatë një interviste në emisionin “Drejt” në Ora News, Berisha e cilësoi këtë praktikë si një formë kontrolli mbi lirinë e shprehjes, duke e krahasuar me mekanizmat e censurës që funksiononin gjatë regjimit komunist.
Ai përdori edhe një krahasim me Afganistanin, për të kundërshtuar atë që e konsideron si ndërhyrje të shtetit në përcaktimin e gjuhës që duhet të përdoret në hapësirën publike. “Është totalisht talebaneske. Është një lloj si në Kabul, ku Ministria e Virtutit përcakton të gjithë fjalorin dhe të gjithë kontekstin”, deklaroi Berisha. Sipas tij, vendosja e gjobave për këtë arsye përbën një hap prapa për demokracinë shqiptare, veçanërisht pas 35 vitesh pluralizëm politik.
“Ne që kemi përjetuar diktaturën komuniste e kemi të qartë se ç’do të thotë. Rikthimi i kësaj praktike pas 35 vitesh pluralizëm është absolutisht involucioni i Edi Ramës tek Kristaq xhelat Rama apo Spiro Koleka. Është gjë e paimagjinueshme”, u shpreh kreu i PD-së. Në vijim të qëndrimit të tij, Berisha solli në vëmendje edhe një dekret të ish-presidentit Ramiz Alia, që lidhej me mbrojtjen e personaliteteve historike dhe kulturore. Ai argumentoi se, edhe në atë periudhë, pavarësisht masave represive, nuk përdorej mekanizmi i gjobave për çështje të tilla.
“Ramizi në qoftë se u kujtohet, e bëri dekretin për mbrojtjen e personaliteteve historike dhe kulturore, dhe futi aty Nolin, Sami Frashërin, Enver Hoxhën e kështu me radhë. Por e vërteta është që arrestoi tek-tuk, po gjoba nuk vuri”, tha Berisha. Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje debatin mbi kufijtë e kompetencave të AMA-s, rregullimin e përmbajtjeve mediatike dhe raportin mes mbikëqyrjes së transmetimeve dhe garantimit të lirisë së shprehjes.
