Asllani dhe dhëndri shqiptar i mbeten “në derë” Interit, rikthehen nga huazimet
Interi do të hapë përkohësisht dyert për rikthimin e Benjamin Pavard dhe Kristjan Asllanin, pasi eksperiencat e tyre në huazim kanë përfunduar pa u shndërruar në transferime përfundimtare.
Marseille dhe Besiktas nuk kanë aktivizuar të drejtën e blerjes së kartonëve të dy futbollistëve, duke i kthyer ata në Milano vetëm përkohësisht. Me mosrealizimin e marrëveshjeve, drejtuesit zikaltër humbasin një të ardhur potenciale prej rreth 26 milionë eurosh në total.
Megjithatë, kjo shumë nuk konsiderohej vendimtare në planet financiare të klubit, pasi gjatë muajve të fundit ishte bërë gjithnjë e më e qartë se mundësitë për blerjen përfundimtare po zbeheshin.
Pavarësisht rikthimit formal, drejtuesit e Interit nuk planifikojnë t’i mbajnë të dy lojtarët në skuadër për sezonin e ardhshëm. Objektivi mbetet gjetja e një destinacioni të ri, ndërsa në ditët në vijim pritet të zhvillohen kontakte me agjentët e tyre për të përcaktuar formulat e transferimit dhe klubet e interesuara.
Sa i përket Pavard, edhe pse mbrojtja zikaltër ka humbur elementë të rëndësishëm, në vendim kanë ndikuar paga e lartë dhe disa episode të brendshme që, sipas raportimeve, kishin tensionuar marrëdhënien me klubin dhe çuan drejt largimit të tij.
Ndërkohë, për Kristjan Asllani, arsyeja konsiderohet tërësisht teknike. Paraqitjet e tij gjatë aventurave në Torino dhe Stamboll nuk kanë bindur stafin teknik, duke bërë që mesfushori shqiptar të mos shihet si pjesë e një reparti tashmë shumë të mbipopulluar në mesin e fushës së Interit.
KOHA JONË SONDAZH

