Asllani para sfidës me Letoninë: Nuk mendoj për veten, kemi ardhur për të fituar!

Kristjan Asllani ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndaj Letonisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Pas barazimit pozitiv kundër Serbisë, ku mesfushori ishte titullar dhe zhvilloi një paraqitje të mirë, edhe ndaj Letonisë pritet të jetë nga minuta e parë.

Asllani u shpreh i vetëdijshëm për rëndësinë e sfidës dhe theksoi se skuadra është e përgatitur për të marrë tre pikët: “Duhet të rikuperojmë energjitë, pasi vijmë nga një ndeshje shumë e mirë në aspektin e lojës. Na mungoi vetëm goli. Tani na pret një përballje e vështirë, por jemi të fokusuar dhe e dimë se çfarë duam – tre pikët janë objektivi për të vazhduar ëndrrën tonë.”

I pyetur për rolin e tij në ekip, Asllani theksoi rëndësinë e kolektivitetit: “Që kur ka ardhur trajneri, i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Tani është momenti të mos mendoj për veten, por për ekipin. Përballë kemi një skuadër me trajner italian, e di mirë si funksionojnë – janë shumë të përgatitur taktikisht dhe mbrojnë mirë. Do jetë një ndeshje e fortë.”

Asllani u ndal edhe te një njohje personale me një prej lojtarëve të Letonisë, Zelenkovs, me të cilin ka ndarë eksperiencën te Empoli: “Kam kaluar dy vite me Zelenkovs te Empoli, shkonim shpesh me ekipin e parë. Ishte shumë teknik dhe i zoti me topin. Do jetë kënaqësi ta takoj pas kaq kohësh. Besoj se nesër do ndërrojmë fanellat – do ia kërkoj unë. Uroj që të fitojmë ne.”

Shqipëria do të përballet me Letoninë në një ndeshje të rëndësishme për vazhdimësinë në rrugën drejt Botërorit 2026.

 

SHKARKO APP