Aston Villa në majën e Europës pas 44 vitesh, mund thellë Freiburg në finalen e Europa League
Pas 44 vitesh pritje, Aston Villa feston sërish një trofe europian. Skuadra angleze triumfoi bindshëm 3-0 ndaj Freiburg në finalen e Europa League, duke vulosur suksesin me një paraqitje dominuese nga minuta e parë deri në fund.
Heroi i mbrëmjes ishte Youri Tielemans, që hapi serinë e golave, ndërsa rrjetën e tundën edhe Emiliano Buendía dhe Morgan Rogers. Në pankinë, trajneri Unai Emery konfirmoi reputacionin e tij si specialist i këtij kompeticioni, duke fituar trofeun e pestë të Europa League në gjashtë finale të zhvilluara.
Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 41-të. Pas një skeme nga goditja e këndit, Lucas Digne shërbeu për Rogers, i cili harkoi në zonë dhe gjeti Tielemans. Mesfushori belg realizoi një goditje spektakolare fluturimthi për të kaluar anglezët në avantazh.
Pak sekonda para fundit të pjesës së parë, Aston Villa goditi sërish. Buendía realizoi një gol të bukur me një goditje të harkuar, duke dyfishuar rezultatin dhe i dhënë skuadrës angleze qetësinë e nevojshme për pjesën e dytë.
Fraksioni i dytë ishte praktikisht një monolog i Aston Villas. Në minutën e 59-të, Digne gjeti sërish Buendían në të majtë, argjentinasi krosoi ulët në zonë dhe Rogers, me një ndërhyrje në rrëshqitje, dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3-0.
Në fund, Freiburg kërkoi golin e nderit, por portieri Emiliano Martínez reagoi saktë duke ndalur një goditje me kokë të Manzambit. Për Aston Villën, ky triumf shënon një rikthim historik në elitën europiane dhe konfirmon suksesin e projektit të drejtuar nga Emery.
KOHA JONË SONDAZH

