Atlanta kalon Brooklyn në përballjen e parë, fitore edhe Rockets e Bulls
NBA hyn në fazën më të nxehtë të sezonit me ndeshjet “Play off”, ku 16 më të mirët përplasin “brirët” për një biletë në fazën tjetër. Një mbrëmje spektakolare rezultoi ajo në Georgia ku Atlanta Hawks bëri detyrën ndaj Brooklyn Nets në përballjen e parë duke fituar me rezultatin 99-92 .Vendasit e morën kryesimin që në fillim duke bërë ligjin në fushën e tyre me Kyle Korver në formë të shkëlqyer, i cili e mbylli ndeshjen me 21 pikë të shënuara. Që në minutat e para, Atlanta vendosi një avantazh të konsiderueshëm prej 17 pikësh, me Dennis Schroder që mori për dore ekipin, ndërsa Al Horford u shfaq agresiv në periodën e dytë për të ruajtur distancën e sigurisë.
Në pushim, skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me avantazhin e 10 pikëve të vendasve por sfida u rihap menjëherë pas rikthimit në parket. Ishin 9 pikë rresht nga Brooklyn që alarmuan Atlantan ku kroati Bogdanoviç regjistroi 5 pikë rresht edhe pse e nisi periodën e tretë nga pankina. Gjithsesi, Atlanta u zgjua duke u rifutur në lojë pasi shënoi 15 pikë të shpejta për të rimarrë kontrollin e sfidës. Rezultati u ngushtua sërish në periodën e katërt 93-89 por ky ishte momenti kur Net-sat nuk arritën të përfitonin duke i lënë hapësira të mëdha në mbrojtje skuadrës kundërshtare. Ndeshja e dytë “Play Off” do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta.
Në takimet e tjera, San Antonio Spurs u dorëzua përballë furisë së Los Angeles Clippers që fitoi 107-92, Memphis dominoi Portland 100-86, ndërsa Boston ra në fushën e Cleveland 100-113.
Më herët fituan edhe Rockets dhe Bulls
Houston Rockets i udhëhequr nga një James Harden në formë të mirë e nisi me fitoren serinë e përballjeve “Play-Off”, me Dallas Mavericks. Në Toyota Center teksanët u shfaqën të papërmbajtshëm që në fillim të takimit, duke krijuar një diferencë të ndjeshme ndaj Mavericks. Tre minuta nga starti Trever Ariza i rrëmbeu një top Monta Ellis duke ftuar në një gjuajtje për tri pikë James Harden, me rezultatin që shkoi deri 19-6. Perioda e parë u mbyll 32-19 për Rockets, por Mavericks dominuan në periodën e dytë madje duke marrë disa herë avantazhin, me pjesën e parë që u mbyll 59-55. Ne periodën e tretë Houston imponoi ritmin e fillimit të takimit, duke shkuar deri +14 pikë, por në minutat e fundit lëshoi shumë terren me Dallas që realizoi 7 pikë radhazi. Në Periodën e fundit Rockets nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren, duke e mbyllur ndeshjen me 10 pikë diferencë 118-108. Harden, përveçse realizoi 24 pikë, dha edhe 11 asist, ndërsa për Dallas më i miri në parket rezultoi Dirk Novitzki, që realizoi gjithashtu 24 pikë, dha 2 asist dhe kontrolli 8 topa nën tabelë. Përballja e dytë e serisë së “Play-Off” do të luhet më 21 Prill në Houston.
KOHA JONË SONDAZH

