Atletico Madrid dhe Barcelona përplasen në merkato, kanë dy objektiva të përbashkta
Merkatoja e verës pritet të sjellë një duel të fortë mes Atlético Madrid dhe Barcelonës, me dy klubet spanjolle që kanë vënë në shënjestër disa nga të njëjtët futbollistë dhe rrezikojnë të përfshihen në një garë të ashpër transferimesh.
Në qendër të vëmendjes është sulmuesi argjentinas Julián Álvarez. Sipas raportimeve nga Spanja, Barcelona ka paraqitur një ofertë që i afrohet 100 milionë eurove për yllin e Atletico Madridit. Kjo lëvizje nuk është pritur mirë në kampin madrilen, ku drejtuesit e klubit e kanë interpretuar si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj lojtarit dhe klubit.
Tensionet mes dy rivalëve nuk kufizohen vetëm te Alvarez. Sipas mediave spanjolle, Atletico dhe Barcelona po monitorojnë gjithashtu situatën e mesfushorit portugez Bernardo Silva dhe mbrojtësit të Chelsea, Marc Cucurella.
Atletico Madrid e konsideron Bernardo Silvën si një përforcim ideal për mesfushën e drejtuar nga Diego Simeone. Megjithatë, interesimi i Barcelonës ka ndryshuar skenarin, me futbollistin që pritet të marrë një vendim përfundimtar vetëm pas përfundimit të Kupës së Botës. Aktualisht, katalanasit duket se kanë një avantazh në garën për firmën e tij.
Ndërkohë, situata e Cucurellës paraqitet më e balancuar. Mbrojtësi spanjoll shihet si një profil i vlefshëm për të dy skuadrat, por Atletico mund të ketë më shumë hapësirë manovrimi në negociata. Barcelona përballet me konkurrencë të madhe në krahët e mbrojtjes, ndërsa madrilenët po vlerësojnë mundësinë e forcimit të mëtejshëm të repartit defensiv.
KOHA JONË SONDAZH

