
Atletico Madrid dhe Bayern Munich do të përballen më 3 nëntor në kuadër të raundit të katërt të fazës së ligës në Champions League. UEFA ka publikuar disa statistika interesante përpara kësaj sfide, ku spikat veçanërisht forma e Harry Kane, i cili është shumë pranë barazimit të një rekordi të Cristiano Ronaldos.
Sipas statistikave të publikuara nga UEFA, Atletico Madrid ka një bilanc mbresëlënës në shtëpi kundër skuadrave gjermane. Madrilenët nuk kanë humbur në 16 ndeshjet e fundit si pritës ndaj ekipeve të Bundesligës, duke regjistruar 12 fitore dhe katër barazime. Gjithashtu, ata kanë fituar katër përballjet e fundit të këtij lloji.
Edhe historia e përballjeve direkte në Madrid i jep besim skuadrës spanjolle. Atletico nuk ka humbur në tri ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj Bayern Munich, me dy fitore dhe një barazim.
Megjithatë, bavarezët kanë statistikat e tyre pozitive, pasi nuk kanë humbur në tri përballjet e fundit direkte ndaj Atletico Madridit, duke marrë dy fitore dhe një barazim.
UEFA vë në dukje gjithashtu formën e madrilenëve në shtëpi në Champions League. Atletico ka fituar 10 nga 12 ndeshjet e fundit në fazën e grupeve ose në fazën me eliminim direkt, ndërsa ka gjetur rrugën e rrjetës në 20 ndeshjet e fundit si pritës në këtë kompeticion.
Nga ana tjetër, Bayern Munich ka pësuar vetëm një humbje në 12 ndeshjet e fundit në Champions League, duke regjistruar tetë fitore dhe tri barazime. Gjermanët kanë shënuar në 24 ndeshjet e fundit në këtë turne, ndërsa në nëntë transfertat e fundit të tyre kanë shënuar të dyja skuadrat.
Vëmendja kryesore, megjithatë, është te Harry Kane. Sulmuesi anglez ka shënuar në 10 ndeshjet e fundit radhazi në Champions League dhe tashmë është vetëm një ndeshje larg barazimit të rekordit të Cristiano Ronaldos për numrin e ndeshjeve radhazi me gol në këtë kompeticion.
