Bajrami: Shqipërinë e zgjodha me zemër, më ka mbetur vetëm pasaporta!

Nedim Bajrami do të jetë përforcimi më i fundit për Kombëtaren e drejtuar nga trajneri Edi Reja. Mesfushori ka shkëlqyer në këtë sezon me Empolin në Serinë B, ku është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm. Për 22-vjeçarin kishte shumë pretendime edhe Zvicra duke qenë se Bajrami ka qenë pjesë e të gjithë grupmoshave të helvetëve. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Koha.net”, talenti ka theksuar se zgjodhi me zemër Shqipërinë, ndërsa shton se pret vetëm pasaportën dhe mund të luaj me kuqezinjtë që në ndeshjet e këtij muaji.

“Unë kam luajtur në të gjitha grupmoshat për Zvicrën dhe ishte momenti të vendosja se a të shkoja të luaja për Zvicrën U-21 në Evropian apo për ekipin e parë të Shqipërisë. Kam biseduar me menaxherin, Erdin Shaqiri, familjen time dhe në fund të fundit e mora vendimin vetë. E kam dëgjuar zemrën. E ndjeva veten më shumë që të luaja për Shqipërinë dhe në fund e kam marrë këtë vendim. Jam shumë i lumtur që kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë.

Kemi biseduar, por më shumë e kam ndarë mendjen, e kam dëgjuar zemrën dhe u thashë për Shqipërinë. Edhe po të vinte Zvicra, unë isha i vendosur të luaja për Shqipërinë. Kam pasur kohë dhe kam menduar, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë që kam shkuar te Shqipëria, sepse në fund të fundit e ndiej veten shqiptar. Kam bërë hapin e duhur dhe është hap i madh për mua. Jam i ri dhe jam krenar që do ta kem mundësinë të luaj për Shqipërinë. Niveli i Shqipërisë është rritur.

Ka mundësi që të luaj për Shqipërinë këtë muaj. Kam biseduar edhe me Amir Abrashin dhe Arlind Ajetin, me të cilët kam luajtur dhe i njoh goxha mirë edhe nga afër. Më ka mbetur vetëm pasaporta. Unë jam gati të luaj për Shqipërinë. Pjesëmarrja në Evropian apo Botëror është edhe qëllimi apo ëndrra ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve.

Empoli? Më ka ecur mirë, jemi në vendin e parë, por duhet të vazhdojmë kështu për t’u ngritur në Serie A. Të fitoj kampionatin në Serie B dhe të ngjitemi në Serie A si lojtar i ri, është ëndërr që pres të bëhet realitet. Do të ishte e jashtëzakonshme. Aktualisht jam në Empoli, për të tjerat vendos menaxheri im”, u shpreh Bajrami.

SHKARKO APP