Barcelona akord me Seviljen për talentin francez

Barcelona nuk ka ndër mend të ndalet në merkato. Katalanasit që deri më tani kanë afruar 5 lojtarë, po bëhen gati për afrimin e radhës që me shumë gjasa do të jetë mbrojtësi i Seviljes, Zhyl Kunde.

Francezi 22- vjeçar dukej i humbur të premten, me Çelsin që kishte trokitur në derën e Seviljes me 50 milionë euro në dorë.

Por si në garat me makina, Barcelona ka parakaluar në kthesën e fundit klubin londinez dhe siç bën me dije gazeta “Sport”, Kunde pritet të veshë fanellën “blaugrana” në sezonin e ri.
Gazeta spanjolle ka raportuar se Barcelona dhe Sevilja tashmë kanë arritur një marrëveshje në parim për transferimin e Zhyl Kunde në “Camp Nou”. Madje, janë bërë publike edhe shifrat e marrëveshjes, teksa shumë shpejt do të vijë edhe zyrtarizimi.
Barcelona dhe Sevilja kanë rënë dakord që klubi katalanas të paguajë 60 milionë euro për Kunde, nga të cilat 50 si bazë dhe 10 milionë të tjera në formë bonusesh për arritje objektivash.

Nga ana tjetër, Kunde pritet të firmosë një kontratë 4-vjeçare me katalanasit.

SHKARKO APP