
Barcelona ka regjistruar të ardhura rekord nga shitja e biletave për ndeshjen ndaj Real Madridit, të zhvilluar të dielën në “Spotify Camp Nou”. Klubi katalanas arkëtoi plot 19.105.768 euro, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 16,4 milionë eurosh, të vendosur në muajin maj.
Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, në stadiumin “Spotify Camp Nou” ishin të pranishëm 60.055 tifozë, më pak se në përballjen e mëparshme, kur numri i spektatorëve arriti në 62.213.
Megjithatë, rritja e çmimeve të biletave dhe shtimi i vendeve VIP ndikuan drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave. Çmimi mesatar i një bilete arriti në 984 euro, pa përfshirë taksat, duke shënuar një rritje prej 10% krahasuar me sezonin e kaluar. Ndërkohë, çmimi mesatar për vendet VIP ishte 2.727 euro.
Shifrat e regjistruara në këtë El Clasico konsiderohen një tregues i potencialit ekonomik të stadiumit, veçanërisht pas përfundimit të punimeve dhe rikthimit të tij në kapacitet të plotë.
Sipas raportimit, “Spotify Camp Nou” pritet të ketë një kapacitet prej 104.600 vendesh, përfshirë 9.500 vende VIP, krahasuar me rreth 5.000 të tilla aktualisht. Ky zgjerim pritet t’i krijojë Barcelonës mundësi për të rritur më tej të ardhurat nga ndeshjet.
Të dhënat e klubit tregojnë gjithashtu se mbajtësit e abonimeve sezonale dhe anëtarët përbënin 86% të kapacitetit normal të stadiumit gjatë kësaj përballjeje.
Përveç të ardhurave nga biletat, Barcelona ka regjistruar shifra të jashtëzakonshme edhe në shitjen e produkteve zyrtare në “Spotify Camp Nou”.
Për herë të parë, shitjet kaluan shifrën e 800.000 eurove gjatë dy ditëve radhazi. Një kontribut të rëndësishëm pati edhe koleksioni promocional i krijuar në bashkëpunim me reperin Tyler, the Creator.
