Barcelona dominon ndaj Interit, por në “San Siro” nuk ka fitues (VIDEO)
Interi dhe Barcelona nuk kanë mundur që të shkojnë më shumë se një barazim 1-1 në duelin e zhvilluar në “San Siro”. Skuadra e Valverdes ishte dominuese thuajse gjatë gjithë ndeshjes duke krijuar mundësi të shumta shënimi, por nuk mundi që të kishte konkretizimin e duhur të aksioneve të saj. Blaugranët e nisin mjaft mirë ndeshjen duke dhënë sinjalin e parë me Dembele me një goditje në minutën e 2-të, ndërkohë që disa minuta më pas Suarez ju afrua golit. Në minutën e 19-të, Interi dha sinjalin e parë me Asamoah, i cili ishte i pafat në tentativën e tij brenda zonës, që përfundoi jashtë kuadratit. Në minutën e 21-të, Luis Suarez dhuron spektakël në zonë, duke kontrolluar mjaft mirë topin dhe më pas tenton me një parabël duke lënë të shtangur portierin Handanovic, por topi përfundon ngjitur me shtyllën. Edhe në minutat në vijim vazhdon dominimi i katalanasve teksa në minutën e 31-të, Dembele dhuron spektakël në zonë, por në fund goditja e tij përfundon në këmbët e Suarez, i cili nuk arrin të shënojë.
Disa sekonda më pas ishte sërish uruguaiani, i cili këtë herë provoi me të majtën, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit. Në minutën e 36-të, ishte Coutinho i cili vendos në provë portierin Handanovic me një goditje nga distanca. Në minutën e 41-të, pas një rrëmujë në zonë Suarez vendos sërish në provë Handanovic, i cili është në një mbrëmje të madhe. Interi zgjohet disi në fillimin e pjesës së dytë, teksa në minutën e 54-të, Icardi nuk arriti që të shfrytëzotnte një top që shkoi drejt tij brenda zonës, duke goditur shumë jashtë kuadratit. Blaugranët reagojnë menjëherë duke rrezikuar portën me Lenglet, i cili tentoi me një goditje me kokë në minutën e 57-të. Dy minuta më pas skuadra e Valverdes kishte një tjetër mundësi të artë me Rakitic që u vendos përballë portierit Handanovic, por gardiani slloven e ndali për mrekulli. Barcelona është e frikshme, teksa sulmet e tyre duket se nuk kanë fund, ndërkohë që Hanadovic u detyrua që të ndalte edhe një goditje të fortë të Coutinhos brenda zonës.
Interi krijoi një aksion të bukur me Perisic që shërbeu mjaft mirë për Politanon në minutën e 65-të, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit. Barcelona kaloi në avantazh 8 minuta nga fundi i kohës së rregullt ndaj Interit. I sapohedhuri në fushën e lojës nga Valverde, Malcolm, ka shënuar që në prekjen e parë të topit duke mposhtur portierin Handanovic me një goditje të fortë brenda zonës. Kundërpërgjigja e Interit vjen vetëm 3 minuta më pas me Mauro Icardin, i cili shfrytëzon më së miri një përgjumje të mbrojtjes së blaugranëve. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

