Barcelona dominon në pjesën e parë, Interin e nderon Handanovic
Barcelona dominon 45 minutat e para ndaj Interit, por dueli që po luhet në “San Siro” për momentin është mbërthyer në rezultatin 0-0. Blaugranët e nisin mjaft mirë ndeshjen duke dhënë sinjalin e parë me Dembele me një goditje në minutën e 2-të, ndërkohë që disa minuta më pas Suarez ju afrua golit. Në minutën e 19-të, Interi dha sinjalin e parë me Asamoah, i cili ishte i pafat në tentativën e tij brenda zonës, që përfundoi jashtë kuadratit.
Në minutën e 21-të, Luis Suarez dhuron spektakël në zonë, duke kontrolluar mjaft mirë topin dhe më pas tenton me një parabël duke lënë të shtangur portierin Handanovic, por topi përfundon ngjitur me shtyllën. Edhe në minutat në vijim vazhdon dominimi i katalanasve teksa në minutën e 31-të, Dembele dhuron spektakël në zonë, por në fund goditja e tij përfundon në këmbët e Suarez, i cili nuk arrin të shënojë.
Disa sekonda më pas ishte sërish uruguaiani, i cili këtë herë provoi me të majtën, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit. Në minutën e 36-të, ishte Coutinho i cili vendos në provë portierin Handanovic me një goditje nga distanca. Në minutën e 41-të, pas një rrëmujë në zonë Suarez vendos sërish në provë Handanovic, i cili është në një mbrëmje të madhe./Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

