Barcelona fiton me vuajtje ndaj Getafes, Manaj e sheh sfidën nga stoli (VIDEO)
Barcelona ka arritur një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Getafes, por skuadra e Setien ka treguar sërish shumë probleme kryesisht në repartin e mesfushës dhe mbrojtjes.
Ndeshja nisi më mirë për Getafen që krijoi disa mundësi shënimi, madje edhe duke gjetur golin e avantazhit me Nyom, por goli do të anulohej për shkak të një faulli në zonë ndaj Umtiti. Barcelona zgjohet në mesin e pjesës së parë duke shënuar dy gola në harkun e 6 minutave.
Në të 33-n, Antonie Griezmann shënoi pas një asisti fantastik të Lionel Messit. Katalanasit nuk do të ndaleshin me kaq, pasi në të 39-n është Sergio Roberto që shënon pas një pasimi të Firpo.
Me avantazhin e 45 minutave, Barcelona përpiqet që të administrojë rezultatin, por miqtë do të zgjoheshin në fraksionin e dytë. Në minutën e 66-të, Angel Rodriguez shënoi një super gol me një goditje fluturimthi në hyrje të zonës.
Getafe kërkoi me ngulm edhe golin e dytë, por Angel do të ndalej nga një mrekulli e Ter Stegen. Në këtë ndeshje në stolin e blaugranëve ishte edhe Rey Manaj, por sulmuesi nuk u aktivizua për asnjë minutë nga trajneri Setien. Sulmuesi lushnjar në këtë mënyrë duhet të presë ende për të luajtur me fanellën e skuadrës së parë. /R.Lika-Koha Jone/