Barcelona hakmerret ndaj Atleticos, por në finalen e Kupës shkon ekipi i Simeones
Barcelona fitoi bindshëm 3-0 ndaj Atlético Madrid në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Copa del Rey, e zhvilluar në stadiumin Spotify Camp Nou.
Skuadra katalanase kaloi në avantazh në minutën e 30-të me anë të Marc Bernal. Në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, Raphinha realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke dyfishuar shifrat dhe mbyllur 45-minutëshin e parë me rezultatin 2-0 për vendasit.
Në pjesën e dytë, Barcelona vijoi dominimin. Në minutën e 72-të, Marc Bernal realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për ekipin, pas një asistimi nga Joao Cancelo, duke vulosur fitoren e pastër 3-0 në përballjen e kthimit.
Megjithatë, pavarësisht suksesit në këtë sfidë, ishte Atlético Madrid që siguroi biletën për në finale, falë triumfit 4-0 në ndeshjen e parë, duke kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm.
Në finalen e Kupës së Mbretit, madrilenët pritet të përballen me fituesin e çiftit mes Real Sociedad dhe Athletic Bilbao. Ndeshja e kthimit mes tyre do të zhvillohet në stadiumin Anoeta Stadium, pasi takimi i parë u mbyll me fitoren 1-0 të Real Sociedad.
KOHA JONË SONDAZH
A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?
Results
Vota totale: 11307

