Barcelona kërkon me ngulm Romagnolin, i ofron Milanit dy futbollistë
Milan dhe Barcelona po mendojnë që të bëjnë lëvizje në merkaton e verës. Dëshira e madhe e klubit blaugrana duket se është afrimi i kapitenit të kuqezinjve, Alessio Romagnoli që shihet si futbollisti perfekte që mund të zgjidhë problemet në mbrojtjen e blaugranëve.
Kontrata e Romagnolit me Milanin skadon në verën e 2022-shit dhe kuqezinjtë e vlerësojnë kartonin e tij rreth 50 milionë euro, shifër kjo që te Barcelona nuk kanë ndërmend ta paguajnë kesh, por janë gati të ofrojnë një apo dy lojtarë të këmbim.
Kështu emri i parë është ai i mesfushorit kroat Ivan Rakitic, që ndiqet prej vitesh nga kuqezinjtë dhe që mund t’u bashkohet në verë, ndërsa në konsideratë po merret edhe braziliani Rafinha, i cili ka luajtur 6 muaj me sukses me Interin, në vitin 2018. Megjithatë vetë dëshira e Milanit është që të rinovojë kontratën e Romagnolit dhe ta blindojë për shumë vite në “San Siro”, por gjithçka do të varet nga vullneti i këtij të fundit.