Barcelona ndalet në Romë, Bajern jep leksione në Athinë
Mbyllen ndeshjet e para në grupe të UEFA Champions League duke dhuruar surprizat e para, teksa dalin me humbje Arsenali dhe Valencia. Krye-ndeshja e mbrëmjes ishte ajo e Grupit E, që u zhvillua në stadiumin Olimpik të Romës, mes ekipit vendas dhe kampionëve në fuqi të Barcelonës. Katalanasit ishin favoritë dhe e gjetën golin të parët, me Luis Suarez që zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë. Por siç pritej, nuk qe edhe aq e lehtë fitorja sepse Roma barazoi shifrat me anë të Florenzit. Pjesa e dytë ishte edhe më emocionuese, ku mungoi vetëm goli pasi të dyja ekipet kërkuan pikët. Rezultat i barabartë në fund duket se la të kënaqura si Romën, edhe katalanasit. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi gjermanët e Bajer Leverkusen shënuan shpejt, por u gjetën për pak minuta në befasi nga Bate Borisov. Futbollisti me origjinë shqiptare Admir Mehmedi shënoi që në 4’, por bjellorusët barazuan shifrat me anë të Milunoviç. Me fillimin e pjesës së dytë, Calhanoglu kaloi gjermanët në avantazh. Hernandez në 59’, i dha siguri fitores së vendasve dhe Calhanoglu me 11-metërsh thelloi shifrat në 4-1. Surpriza e mbrëmjes kishte emrin e Dinamo Zagreb, skuadra që eliminoi Skënderbeun në fazën Play-off. Kroatët kishin përballë Arsenalin dhe në mesin e pjesës së parë pas presingut gjetën golin me anë të Chamberlain, i cili shënoi në portën e tij. Arsenali mbeti me 10 lojtarë në fund të pjesës së parë pas daljes me karton të kuq të Zhirud. Fernandes shënoi në pjesën e dytë golin e sigurisë. Theo Uolkot dha shpresë për topçinjtë deri në fund, megjithatë humbja ishte e pashmangshme. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në Athinë, Bajern Mynih e mbylli në barazim pa gola pjesën e parë, por zhbllokoi shifrat me fillimin e pjesës së dytë. I zakonshmi Thiomas Muller bëri të heshtë stadiumi i Olimpiakos, në 52’ dhe Mario Goetze realizoi golin e dytë. Në fund Muller me 11-metërsh vulosi rezultatin, me 11-metërsh, 3-0. Fillimi i dobët në Premier League i Chelsea nuk ndikoi në paraqitjen e parë të këtij sezoni në Champions, ndoshta edhe nga forca e kundërshtarit. Përballë ekipit izraelit, Makabi Tel Aviv, të besuarit e Mourinho humbën fillimisht një 11-metërsh me anë të Hazard, por Willian zhbllokoi shifrat pak minuta më vonë. Oskar në fund të pjesës së parë nuk gaboi në 11-metërshin e dytë dhe Diego Costa në 45 minutat e mbetura të takimit shënoi golin e radhës. Febregas në minutat e fundit i dha fitoren 4-0 Bluve të Londrës. Në ndeshjen e zhvilluar në Kiev të Ukrainës, Dinamo vendase shënoi me anë të Oleg Gusev ndaj Portos që në fillim të pjesës së parë, mirëpo gëzimi i vendasve zgjati shumë pak sepse në 23’, barazoi shifrat për portugezët Vincent Aboubakar. I njëjti lojtar për Porto shënoi në fund të pjesës së dytë, por Buyalsky barazoi shifrat duke shmangur humbjen e Dinamos së Kievit në fund. Përballë Gent të Belgjikës në Grupin H, Lion e gjeti golin kur skuadra vendase mbeti me 10 lojtarë në fushë. Christophe Jallet realizoi në mesin e pjesës së dytë, por në 41’ Dejaeghere u ndëshkua me karton të kuq për Gent. Megjithatë, belgët barazuan shifrat me anë të Miliçeviç, pak minuta më vonë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Valencia ishte skuadra e vetme spanjolle që u humb takimin e parë në Champions. Për ekipit rus të Zenit, Hulk realizoi dy gola në pjesën e parë. Cancelo shkurtoi shifrat në 2-1 gjatë pjesës së dytë, por përpjekjet e Valencias nuk u ndalën deri në fund dhe Gomesh shënoi në 73’. Kur u duk se takimi po shkonte në favor të ekipit spanjoll, Witsel shënon golin e fitores në fund për miqtë.
Champions, të martën
Grupi A
PSG- Malmo 2-0
Real Madrid- Shaktar 4-0
Grupi B
PSV-Manchester U. 2-1
Volsburg-Cska Moskë 1-0
Grupi C
Benfica-Astana 2-0
Gallatasarai -Atletiko M. 0-2
Grupi D
Manchester C.-Juventus 1-2
Sevija- Mynchengl. 3-0
Sot: Ora 20:45
Grupi E (Dje)
Bayern L. -Bate B. 4-1
Roma-Barcelona 1-1
Grupi F
Dinamo Z. – Arsenal 2-1
Olimpiacos-Bayern M. 0-3
Grupi G
Chelsea-Makabi T. 4-0
Dinamo Kiev-Porto 2-2
Grupi H
Gent-Lion 1-1
Valencia-Zenit 2-3
Cuadrado: Debutimi në Champions, shumë më i rëndësishëm
Juventus pas tre rezultateve zhgënjyese në Seria A, mbrëmjen më të rëndësishme të këtij sezoni, pati atë të së martës, ndaj Manchesterit, ku edhe fitoi 2-1. Përveç pritjeve të jashtëzakonshme të Buffon, ndërhyrjeve të Bonuccit dhe goditjeve të Moratës, goli i Mandzukiç, rikuperimet në mesfushë të Hernanes dhe driblimet e Cuadrados i dhanë Juves ritmet e duhura. Grintë, por edhe një Juventus ndryshe. Juan Cuadrado është gati të vërë bast mbi ekipin e tij: – “Zhvilluam një ndeshje të madhe, – ishin fjalët e tij për “Sky Sport”. – “Si skuadër e vërtetë, besoj se ky ishte aspekti më i rëndësishëm. Zbritëm në fushë me dëshirën për të bërë rezultat duke luajtur si ekip dhe kur luajmë kështu jemi vërtet një grup i jashtëzakonshëm. Në kampionat nuk e nisëm siç donim, e dinim që debutimi në Champions do të ishte shumë i rëndësishëm. Kjo na dha shtysën që na nevojitej për të mposhtur një ekip të madh”. Ai tregoi edhe një detaj pas ndeshjes. – “Çfarë më ulëriti Allegri në fund të ndeshjes? Më tha që të shkoja pak më shumë në fundore dhe të mundohesha të mbaja topin, duke qenë se mungonin vetëm pak minuta nga përfundimi i ndeshjes. Është diçka që të karikon dhe që nënvizon edhe dëshirën e madhe të Allegrit për të fituar. Herën tjetër do përpiqem t’ia plotësoj dëshirën”. Pas kësaj fitoreje, lojtari i ardhur nga Chelsea, thotë se “tani mendojmë për Genoa-n, me moral më të lartë se më parë. Duhet të rikthehemi në garë për titullin. Çdo ndeshje nga tani e deri në fund do të jetë si finale për ne”.
Ronaldo, tetë gola në dy ndeshje
CR7, një gol larg rekordit të Raul
Në fillim isha i paaftë, tani kam realizuar tetë gola në dy ndeshje dhe jam përsëri i fortë…”. Cristiano Ronaldo ka ironizuar, ka shmangur shtypin spanjoll, nuk ka folur me gazetarët pas tre golave në Champions, por u është drejtuar atyre me një mes azh pas fitores 4-0 të Realit ndaj Shakhtar Donetsk në javën e parë të fazës me grupe në Champions. Portugezi, i cili u kritikua në fillim të sezonit, realizoi tre gola në fuitoren e fundit të Realit dhe 5 gola së shtunën kundër Espanyol. Tetë gola prej tij në dy ndeshje. Tani CR7 është një gol larg rekordit të Raul, golashënuesi më i mirë i historisë së Realit në të gjitha kompeticionet me 323 gola. Në prag të ndeshjes së Championsit, Ronaldo ka folur në përfundimit të takimit në atë që quhet zona e përzier e gazetarëve: “Jemi në një moment të mirë dhe është e drejtë të nënvizohet puna e mirë e bërë nga skuadra, nuk kemi gabuar në mbrojtje dhe kemi luajtur mirë kundër Shakhtarit që mbetet një skuadër e mirë”. Edhe Rafa Benitez, në fund të ndeshjes ka vlerësuar kampionin e tij: “Nuk ka diskutim, është lojtari më i mirë në botë”, ka thënë spanjolli.
KOHA JONË SONDAZH

