Barcelona, në planet e së ardhmes Dybala e Vietto
Barcelona është vënë në kërkim edhe të një sulmuesi që do të kompletonte repartin e avancuar të skuadrës blaugrana. E përditshmja katalanase “El MundoDeportivo” raporton se Barça po ndjek me vëmendje dy futbollistë dhe në janar të vitit 2016 kur t’i ndizet drita jeshile nga Fifa për merkaton në hyrje njërin prej tyre do të përpiqet t’ia bashkangjisë treshes Messi-Neymar-Suarez. Të preferuarit e drejtuesve të Barcelonës janë Paulo Dybala dhe Luciano Vietto. Sulmuesi i Palermos pëlqehet shumë nga drejtori sportiv i klubit blaugrana, Ariedo Braida dhe 21-vjecari që luan në Serinë A, mbetet objektivi i parë i Barçës për repartin e avancuar. Për të mbërritur te Dybala Barcelona përveç se duhet t’i ofrojë presidentit të skuadrës siciliane Maurizzio Zamparini, 40 milionë Euro, aq sa ai ka kërkuar, katalanasit duhet të mposhtin edhe konkurrencën e Juves dhe të disa klubeve angleze të cilat prej kohësh interesohen për argjentinasin. Dybala ka realizuar 12 gola në këtë sezon të Serisë A duke u pozicionuar në vendin e 4-t të listës së golashënuesve. Juve shikon te talenti i Palermos zëvendësuesin ideal të Carlos Tevez, prandaj Barcelona duhet të shpejtojë nëse dëshiron ta transferojë atë në “Camp Nou”. Edhe Arsenali e Manchester United e ndjekin nga afër Paulo Dybalan. Por nëse nuk mbërrin te sulmuesi i Palermos, blaugranat do të hedhin sytë nga Luciano Vietto, i cili ka rezultuar zbulimi i madh i La Ligas në këtë sezon. Futbollisti i talentuar i Villarrealit pëlqehet shumë nga Luis Enrique dhe mund të jetë ai zëvendësuesi i Pedros te Barcelona, pasi sulmuesi spanjoll e ka bërë të ditur që do të largohet në verë. Vlera e Viettos në merkato varion nga 25 milionë deri në 30 milionë Euro shifër mëse e përballueshme kjo për financat e një klubi si Barcelona.
KOHA JONË SONDAZH

