Barcelona ofron 60 milionë euro dhe dy futbollistë për Lautaro Martinez
Barcelona do të provojë me të gjitha mënyrat për të marrë Lautaro Martinez në “Camp Nou”. Sulmuesi argjentinas është objektivi kryesor i blaugranëve në merkato pasi e shikojnë 22-vjeçarin si të ardhmen e sulmit dhe një zëvendësues ideal të Luis Suarez që është në vitet e tij të fundit të karrierës.
Gazeta katalanase “Sport” shkruan se oferta e fundit e Barcelonës për Interin ka kapur shifrën e 60 milionë eurove plus kartonat e dy futbollistëve Junior Firpo dhe Tobido, ofertë që nuk ka ngrohur aspak drejtuesit zikaltër me Marottën dhe Ausilion që e kanë refuzuar menjëherë.
Lautaro Martinez ka një klauzolë largimi nga Interi prej 111 milionë eurosh, shifër që Barcelona nuk është e gatshme ta paguajë për shkak të krizës ekonomike nga COVID-19. Në pamundësi për t’i ofruar këto para cash Barça kërkon të përfshijë një ose dy futbollistë të tjerë në marrëveshje, por Marotta nuk lëviz nga kërkesat e tij teksa synon 70 deri në 80 milionë euro plus kartonët e Arthur Melos dhe mbrojtësit të djathtë Nelson Semedo pasi Junior Firpo dhe Tobido nuk i bindin zikaltrit.
Interi nuk do të lëvizë nga shifra e kërkuar dhe do të refuzojë çdo ofertë të Barcelonës për numrin 10 nëse nuk kënaq kushtet e zikaltërve. E kundërta mund të ndodhë vetëm nëse përfshihen në marrëveshje emrat e Antoine Griezmann dhe Arturo Vidal.