Barcelona po rilind, tridenti Lewandowski–Raphinha–Yamal sfidon lavdinë e epokës “MSN”
Barcelona po rilind, dhe këtë po e bëjnë në mënyrën më të bukur. Një brez i ri premtues po ngrihet nga “La Masia”: Cubarsí, Balde, Pedri, Gavi dhe Lamine Yamal janë baza mbi të cilën po ndërtohet një projekt afatgjatë.
Por forca më e madhe e ekipit katalanas është pa dyshim tridenti sulmues. I formuar që në verën e vitit 2022, ky repart ka shpërthyer përfundimisht këtë sezon nën drejtimin e trajnerit të ri gjerman, Hans-Dieter Flick.
Yamal në të djathtë, Raphinha në të majtë dhe Robert Lewandowski në qendër, një trinom që po bën “kërdinë”.
Fitorja 4-0 ndaj Borussia Dortmundit mbrëmë në “Olimpic de Montjuïc” ishte një tjetër demonstrim force. Lewandowski realizoi dopietë, Raphinha shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime, ndërsa Yamal vulosi rezultatin me golin e katërt pas shumë lëvizjesh magjike. Treshja vendosi sërish fatin e ndeshjes, siç ka ndodhur përgjatë gjithë sezonit.
Barcelona aktualisht është +4 ndaj Real Madridit në La Liga dhe do të përballet me “Los Blancos” në finalen e Kupës së Mbretit, pas eliminimit të Atleticos në gjysmëfinale. Gjithashtu, katalanasit janë një nga katër skuadrat e fundit në Evropë që janë ende në garë për Tripletën.
E veçanta? Ky trident — Lewandowski, Raphinha dhe Yamal — është aktualisht më produktivi në Evropë, me plot 82 gola të shënuar deri tani:
Robert Lewandowski: 40 gola
Raphinha: 28 gola
Lamine Yamal: 14 gola
Krahasimet me epokën e lavdishme të MSN (Messi–Suarez–Neymar) janë të pashmangshme, edhe pse ende nuk kemi arritur në ato nivele. Ja një përkujtim i numrave të jashtëzakonshëm të atij tridenti:
Golat e MSN-së (2014–2017):
2014/15 – 122 gola
Messi: 58 | Neymar: 39 | Suarez: 25
2015/16 – 131 gola
Suarez: 59 | Messi: 41 | Neymar: 31
2016/17 – 110 gola
Messi: 54 | Suarez: 36 | Neymar: 20
Për t’u krahasuar me ta, tridenti aktual duhet të kalojë kuotën e 100 golave, por deri më tani, ajo që ofrojnë Lewandowski, Raphinha dhe Yamal është ndoshta forma më e afërt me lavdinë e dikurshme të MSN-së. Dhe me këtë ritëm, gjithçka është e mundur deri në fund të sezonit. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

