“Barcelona po sillet si klub i vogël”, Atletico Madrid shpërthen ndaj katalanasve për Alvarez
Atletico Madrid ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve të vazhdueshme që lidhin Julian Alvarez me një transferim të mundshëm te Barcelona, duke mohuar kategorikisht çdo negociatë dhe duke kritikuar publikisht klubin katalanas.
Sipas raportimeve nga media spanjolle, Barcelona po shqyrton mundësinë për të paraqitur një ofertë rreth 100 milionë euro për sulmuesin argjentinas. Megjithatë, drejtuesit e Atletico Madrid duket se kanë humbur durimin me thashethemet e vazhdueshme.
Burime pranë klubit madrilen, të cituara nga mediat spanjolle, kanë deklaruar qartë se Julian Alvarez nuk është në shitje dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt konkret nga Barcelona.
“Nuk është në shitje. Klubi nuk ka marrë asnjë ofertë për lojtarin dhe nuk është zhvilluar asnjë takim”, kanë bërë të ditur burime pranë Atletico Madrid.
Në të njëjtën kohë, klubi madrilen ka shprehur irritimin për raportimet e shumta të muajve të fundit, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të fabrikuara.
“Jemi lodhur nga muaj e muaj me gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe histori të sajuara, si blerje shtëpish në Barcelonë apo pyetje absurde drejtuar lojtarëve tanë. Barcelona po sillet si një klub i vogël në gjithë këtë histori me Julianin”, thuhet më tej në reagimin e burimeve pranë klubit.
Pavarësisht zhurmës së krijuar, Atletico Madrid ka mbrojtur qëndrimin e Julian Alvarez, duke theksuar se sulmuesi nuk ka asnjë përgjegjësi në spekulimet që po qarkullojnë.
“Lojtari nuk ka faj. Julian është sjellë në mënyrë të përkryer dhe kjo është një çështje e jashtme”, përfundon reagimi i klubit madrilen.
KOHA JONË SONDAZH

