Barcelona rikthehet në “Spotify Camp Nou” më 7 nëntor
Pas më shumë se dy vitesh punime për rindërtimin e “Camp Nou”-t, Barcelona do të rikthehet në stadiumin e saj legjendar më 7 nëntor për një seancë stërvitore të hapur për publikun. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi katalanas përmes një komunikate zyrtare.
“Ekipi i parë i meshkujve të Barcelonës do të rikthehet zyrtarisht në Spotify Camp Nou të premten, më 7 nëntor”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ky aktivitet do të shërbejë si një “test operativ” në prag të rihapjes së pjesshme të stadiumit, e cila është shtyrë disa herë dhe pritet të realizohet deri në fund të vitit 2025.
Çmimi i biletave është vendosur 5 euro për abonentët dhe 10 euro për publikun e gjerë, ndërsa të gjitha të ardhurat do të dhurohen për projektin bamirës “Pulseras Blaugranas”, që mbështet shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve të shtruar në spital.
Në këtë event pritet të marrin pjesë rreth 23.000 tifozë, sipas lejes së dhënë nga Këshilli Bashkiak i Barcelonës, i cili ka vendosur një kufi maksimal prej 27.000 spektatorësh. Për këtë arsye, skuadra do të vazhdojë të luajë ndeshjet e saj zyrtare në Stadiumin Olimpik të Montjuic, deri në momentin që do të marrë lejen për të rikthyer deri në 45.000 tifozë në Camp Nou.
Punimet e zgjatura kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare për klubin katalanas, i cili ka vlerësuar se projekti i gjerë i rindërtimit të stadiumit, që pritet të ketë një kapacitet prej 105.000 vendesh, rekord në Evropë do të kushtojë rreth 1.5 miliardë euro.
KOHA JONË SONDAZH

