Barcola drejt Premier League? Liverpooli rivalizon Arsenalin për yllin e PSG-së
Bradley Barcola mund të jetë një nga emrat e mëdhenj që do të ndryshojë kampionat gjatë kësaj merkatoje. Sulmuesi francez duket gjithnjë e më pranë një transferimi në Premier League, ndërsa Paris Saint-Germain është i gatshëm të shqyrtojë largimin e tij.
Për 23-vjeçarin interesohen dy prej klubeve më të mëdha angleze, Liverpool dhe Arsenal, por në garë duket se aktualisht avantazhin e ka skuadra nga “Anfield”.
Sipas raportimeve të mediave britanike dhe gazetarit Fabrizio Romano, Barcola ka dhënë dritën jeshile për një transferim te Liverpooli. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi i vendosur nga PSG.
Klubi francez e vlerëson kartonin e sulmuesit rreth 130 milionë paund, një shifër që konsiderohet tepër e lartë nga drejtuesit e Liverpoolit. Për këtë arsye, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje.
Liverpooli po kërkon me ngulm një sulmues krahu dhe Barcola shihet si një prej objektivave kryesorë të merkatos. Klubi anglez ka nevojë për një profil të tillë pas ndryshimeve në repartin ofensiv dhe synon të shtojë shpejtësinë dhe kreativitetin në krahë.
Në anën tjetër, Arsenal nuk ka ndërmend të tërhiqet. “Topçinjtë” po kërkojnë gjithashtu një sulmues krahu dhe Barcola është shfaqur si një alternativë e rëndësishme pas dështimit të disa objektivave të tjerë.
Londinezët mund të përpiqen të përfitojnë pikërisht nga fakti që Liverpooli nuk ka arritur ende marrëveshje me PSG-në, duke tentuar t’ua rrëmbejnë rivalëve francezin në momentet e fundit.
Barcola iu bashkua PSG-së nga Lyon në vitin 2023 dhe që prej atëherë ka qenë pjesë e sukseseve të klubit parizien. Në total, ai ka regjistruar 152 paraqitje me fanellën e kampionëve të Francës dhe Evropës, duke shënuar 39 gola.
KOHA JONË SONDAZH

