Bartomeu “blindon” Neymar: Do të rinovojë me Barçën
Pas zërave nga Anglia se Louis Van Gaal ishte gati të paguante 190 milionë eurot e parashikuara në klauzolë, pa llogaritu shpe nimet e tjera për kartonin dhe pagën, gjigantët spanjollë po mendojnë t’i rinovojnë sulmuesit kontratën që skadon në vitin 2018. Presidenti Josep Maria Bartomeu hodhi poshtë spekulimet për largimin e Neymar drejt Premier League, duke theksuar se klubi kërkon që 23-vjeçari ta mbyllë karrierën në “Camp Nou”. “Nuk mendojmë ta shesim Neymar. Ai është ende i ri, por duam që lojtari ta mbyllë karrierën te Barcelona”, tha numri një i klubit. Bartomeu nënvijëzoi se braziliani është një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës. Presidenti “blaugrana” tha se në harkun e pak muajve, drejtuesit e klubit do të hapin negociatat me përfaqësuesit e sulmuesit, për të rinovuar kontratën, në mënyrë që të luajë në “Camp Nou” jo vetëm për tri vitet në vazhdim, por edhe për 5 apo 10 vjet të tjerë. Neymar u transferua te Barça në vitin 2013 nga Santos. Sezoni i parë ishte për t’u harruar pas problemeve me ambientimin, formës jo optimale fizike dhe akuzave për mashtrim me shifrën e transferimit. Megjithatë, në edicionin 2014-2015, braziliani ishte një prej lojtarëve më të spikatur, me 39 gola në 51 ndeshje, duke ndihmuar spanjollët të fitojnë titullin në La Liga, Kupën e Mbretit dhe trofeun e Champions League.
KOHA JONË SONDAZH

