Bashkia e Vlorës 36 mln lekë ekipit, 80 mln Orikumi
Në prag të ndeshjes me Partizanin, Flamurtarit i rikthehen “përplasjet” ndërmjet sponsorëve turq dhe baskisë së Vlorës. Klubi, nëpërmjet një deklarate, akuzoi Bashkinë e Vlorës dhe Këshillin Bashkiak se, “nuk po përmbushin në asnjë rast detyrimet ligjore si pronarë legjitim të klubit” dhe se “njëkohësisht po pengon veprimtarinë e Flamurtarit si edhe vazhdimësinë e tij”. Shkak për fërkimin më të fundit u bë buxheti i miratuar për klubin, me vlerë vetëm 36 milionë lekë të vjetra. Pakënaqësia në radhët e sponsorëve turq, të përfaqësuar nga administratori Sinan Idrizi është lehtësisht e kuptueshme me një krahasim të thjeshtë.
Për Flamurtarin që luan në Kategorinë Superiore dhe ka shpenzuar miliona për rindërtimin e skuadrës në merkaton e dimrit, buxheti është 36 milionë lekë të vjetra. Për Orikumin, skuadër të Kategorisë së Dytë, fondi i akorduar nga Këshilli Bashkiak është 80 milionë lekë. Pakënaqësisë së klubit i shtohet edhe fakti që fondi i Bashkisë për Flamurtarin shkon i gjithi në pagimin e detyrimeve të vjetra: nga Kontrata e OSHEE, ujësjellësi, dy vendime përmbarimore për ish-trajnerin Nini dhe hotel Pavarësia, detyrime për sigurime shoqërore por edhe për konsulencën për privatizimin e klubit.
Sipas zyrës së shtypit të Flamurtarit, vazhdojnë të mos njihen detyrimet për borxhet e vjetra ndaj ish-lojtarëve, që erdhën si pasojë e keq-menaxhimit pikërisht nga Bashkia e Vlorës. Në vëmendje sillet rasti i lojtarit Toni Pezo, me detyrimin prej 17 mijë e 500 euro që është paguar nga dy kompanitë turke. Në situatën e krijuar, në qytetin bregdetar rikthehen polemikat, që ashtu si në fazën e parë, nëse vijojnë edhe këtë fazë, mund të rrezikojnë qëndrimin e Flamurtarit në Kategorinë Superiore.
KOHA JONË SONDAZH

