Basketboll femra, Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë
Flamurtari fiton Superkupën e Shqipërisë, në basketbollin e femrave, duke mposhtur në takimin e luajtur në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" rivalen e saj, Apoloninë. Skuadra vlonjate rrëmbeu Superkupën e Shqipërisë pasi mposhti në takimin e luajtur në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" rivalet e Apolonisë me rezultatin 87-83. Sfida për basketbollin e femrave mes dy skuadrave që dominojnë prej vitesh basketbollin shqiptar të femrave, mes Flamurtarit dhe Apolonisë, u mbyll me fitoren e ekipit vlonjate, që në 2014 fitoi edhe titullin e 18-të kampion. Apolonia, mbajtëses së trofeut të Kupës dhuroi një rivalitet të jashtëzakonshëm nga fillimi në fund duke lënë si të vetmin peng numrin e pakët të tifozëve të pranishëm në shkallët e Pallatit të Sportit. Vlonjatet krijuan një avantazh prej 8 pikësh në përfundim të pjesës së parë, por Apolonia u kthye fuqishëm në lojë me një përmbysje duke e kaluar avantazhin e saj në shifrat 48-52 në periodën e tretë. Gjithsesi vajzat e drejtuara nga trajneri Viron Toska reaguan në të njëjtin fraksion për të marrë sërish komandën 55-52 dhe në fillimin e periodës së katërt zgjatën avantazhin deri në 61-55. Apolonia edhe një herë reagoi, duke barazuar 74-74 dhe ekuilibri zgjati deri pak minuta para fundit kur tabela e rezultatit shënonte 79-78 për Flamurtarin. Pikërisht në atë moment vajzat vlonjate gjetën grintën e duhur për t'i dhënë krah fitores pasi duke përfituar dhe nga gabimet e kundërshtareve krijuan një avantazh komod 87-81 në sekondat e fundit duke pasur mundësinë të përballonin pa problem edhe dy pikët e fundit të fierakeve. Në fund gjithçka u mbyll 87-83 në favor të Flamurtarit, që feston pas një ndeshjeje të vuajtur në të cilën Apolonia dhuroi preludin e një tjetër sezoni të rivalizuar në maksimum mes dy skuadrave.
KOHA JONË SONDAZH

