Bayerni blindon trajnerin Kompany, i rinovon kontratën deri në vitin 2029
Bayern Munich ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës me trajnerin Vincent Kompany deri më 30 qershor 2029, duke zgjatur me dy vite marrëveshjen e mëparshme.
Belgu, që ndodhet në sezonin e tij të dytë në Bavari, ka arritur rezultate mbresëlënëse: fitimin e Bundesligës dhe sukses në të gjitha ndeshjet zyrtare të këtij sezoni, përfshirë fitoren në Klassiker ndaj Borussia Dortmund.
Në deklaratën e tij pas firmës, Kompany është shprehur i entuziazmuar për besimin që i është dhënë nga klubi: “Jam mirënjohës dhe i nderuar. Që nga dita e parë, Bayern më ka ofruar besim dhe një ambient pune ideal. Ndihem sikur jam këtu prej shumë kohësh dhe tashmë e njoh mirë këtë klub. Kemi nisur një rrugëtim fantastik, do të vazhdojmë të punojmë fort dhe të festojmë suksese të tjera,” u shpreh trajneri 38-vjeçar.
Presidenti i Bayern-it, Herbert Hainer, e cilësoi rinovimin si një sinjal të fortë besimi dhe vazhdimësie: “Kompany gëzon respekt të madh nga lojtarët, drejtuesit dhe tifozët. Është njeriu i duhur për të udhëhequr këtë projekt afatgjatë.”
Edhe CEO i klubit, Jan-Christian Dreesen, vlerësoi ndikimin pozitiv të trajnerit belg: “Vincent ka rikthyer entuziazmin në klub, ka krijuar një skuadër dominuese dhe spektakolare, gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë.”
Që nga ardhja e tij në verën e vitit 2023, Kompany ka regjistruar një mesatare prej 2.33 pikësh për ndeshje, duke ndërtuar një skuadër të balancuar, të fortë dhe të aftë për të luajtur futboll modern e dominues, me synimin për të mbajtur Bayern-in në majat e Gjermanisë dhe të Europës.

KOHA JONË SONDAZH

