
Bayern Munich nuk ka ndërmend të bëjë një tentativë për transferimin e Erling Haaland nga Manchester City. Klubi gjerman ka konfirmuar se është i kënaqur me alternativat që disponon në repartin ofensiv, ku figura kryesore mbetet sulmuesi anglez Harry Kane.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i “Sport Bild”, Christian Falk, i cili ka zbuluar se ka biseduar drejtpërdrejt me drejtorin ekzekutiv të Bayern Munich, Jan-Christian Dreesen, për mundësinë e transferimit të bomberit norvegjez.
Përgjigjja e drejtuesit bavarez ka qenë e qartë: Bayern nuk po mendon për Haalandin, pasi beson se e ka tashmë në skuadër sulmuesin më të mirë në botë.
“Dreesen më tha se Bayern Munich e ka tashmë sulmuesin më të mirë në botë, Harry Kane, si dhe një repart ofensiv shumë të fortë në tërësi”, deklaroi Christian Falk.
Sipas raportimit, qëndrimi i klubit gjerman nuk pritet të ndryshojë as në varësi të zhvillimeve të ardhshme në lidhje me çështjen e 115 akuzave ndaj Manchester Cityt për shkelje të pretenduara financiare në Premier League.
Një tjetër element që e bën Kane kaq të rëndësishëm për Bayern-in është kontributi i tij përtej golave. Pavarësisht se është 33 vjeç, anglezi vlerësohet për aftësinë në organizimin e lojës, krijimin e rasteve dhe ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Për drejtuesit bavarezë, zëvendësimi i Kane në të ardhmen nuk do të jetë thjesht çështje gjetjeje e një sulmuesi që shënon gola, por e një lojtari që mund të ofrojë të njëjtin ndikim në lojën e skuadrës.